18 Maj 2024

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 14 shtator - Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot tradicionalisht Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Me këtë rast nga ora 10:00-16:00, u organizuan manifestimet “Dyert e hapura të Kuvendit, “Panairi i organizatave të shoqërisë civile” dhe u bë hapja e “Qendrës  për vizitorë”.

Në kuadër të “Panairit të  organizatave të shoqërisë civile\", i cili u hap para hyrjes kryesore të Kuvendit, morën pjesë rreth 20 organizata të shoqërisë civile, të cilat përfaqësonin të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Gjatë kësaj kohe nxënës, studentë dhe qytetarë, vizituan ambientet  e Kuvendit të  Republikës së Kosovës.

Pastaj filloi ceremonia solemne e hapjes së \"Qendrës për Vizitorë\". Me këtë rast të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.

Pasi shprehu kënaqësinë për hapjen e kësaj qendre në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai tha se ky eveniment është dëshmi që tregon brishtësinë e demokracisë në Republikën e Kosovës, por në anën tjetër tregon edhe gatishmërinë për të qenë të vendosur në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.

Kjo tregon njëkohësisht se sa vështirë  dhe sa e gjatë ka qenë rruga e demokracisë për qytetarët dhe për institucionet e Kosovës.

Kremtimi i kësaj dite dhe ardhja e qytetarëve në vizitë në këtë shtëpi të demokracisë është ngjarje e rëndësishme jo vetëm për të sotmen , por edhe për të ardhmen e Kosovës.

“Jemi të angazhuar që shtëpinë tonë të demokracisë ta bëjmë sa më transparente që edhe qytetarët të jenë pjesë e demokracisë në Kosovë. Në rrugën tonë të demokracisë kemi gëzuar edhe ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë ndihmën e SHBA-së dhe të BE-së.”

“Ky eveniment  është fryt i bashkëpunimit ndërmjet SHBA-së dhe Kuvendit të Kosovës, por pjesa më e madhe e investimeve i takon NDI-së”,  tha kryekuvendari Krasniqi. Po ashtu ai falënderoi edhe USAID-in për financimin e programeve të NDI-së në Kosovë.

Ndërkaq, zv.ambasadorja e SHBA-së, në Kosovë, Kelly Degnan, theksoi se ky është viti i tretë që po e shënojmë këtë ditë ndërkombëtare të demokracisë, ndaj edhe kemi zgjedhur pikërisht këtë ditë për të përuruar këtë qendër të re të vizitorëve në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata universale për demokraci bazohet në ekzistencën e institucioneve funksionale dhe  të strukturuara mirë , si dhe në një varg standardesh dhe rregullash të shoqërisë në tërësi. Që kjo të arrihet nevojitet një shoqëri që njeh mirë të drejtat dhe përgjegjësitë e saj.

Në vijim ajo tha se Kuvendi miraton tërë ligjet dhe taksat dhe ka përgjegjësinë që të sigurohet se çdo propozim që jepet aty të testohet dhe debatohet rrënjësisht para se të bëhet ligj. Me fuqinë mbikëqyrëse, Kuvendi vëzhgon imtësisht punën e qeverisë.

Ajo në vijim tha: “Qeveria ime përmes USAID-it ka përkrahur krijimin e Qendrës për Vizitorë për të nxitur interesimin e opinionit publik rreth asaj se si punon qeveria. Kjo qendër do ta rrisë qasjen e qytetarëve te të përzgjedhurit e tyre dhe do të rrisë njohurinë e tyre rreth asaj se çka po bën qeveria për të mirën e tyre.”

“Qendra e re e vizitorëve, siç tha edhe kryekuvendari Krasniqi,  paraqet hap të rëndësishëm drejt transparencës dhe llogaridhënies më të madhe të qeverisë dhe për këtë arsye ju përgëzoj, theksoi ajo.

Të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori rajonal i NDI-së për Evropë, Rob Benjamin, i cili tha se është shumë i kënaqur që merr pjesë në këtë hapje të kësaj qendre.

Ai në vijim falënderoi kryekuvendarin Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi, si dhe të gjithë  bashkëpunëtorët që kanë kontribuuar për hapjen e kësaj qendre.

Në vijim ai tha se nuk është e rastit që pikërisht sot po përurohet kjo qendër në Kuvend, sepse këtu votohet dhe merren vendime për çështje më të rëndësishme të vendit.

Në vijim ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritashëm të NDI-së me Kuvendin e Kosovës.

Më tutje ai inkurajoi të gjithë qytetarët të vizitojnë Kuvendin, sepse këtu zhvillohet një jetë shumë dinamike, këtu aprovohen shumë ligje, ndërsa  punojnë e veprojnë edhe organizata joqeveritare nga bota.

Pas përfundimit të ceremonisë së inaugurimit të Qendrës për vizitorë, Kuvendi dhe NDI organizuan një ceremoni të veçantë, me ç‘rast u bë ndarja e mirënjohjeve për studentët dhe nxënësit e dalluar në realizimin e projektit “ Deputetët vizitojnë shkollat e mesme”. 

Ndarjen e mirënjohjeve e bëri sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ndërsa të shpërblyerve iu drejtua me disa fjalë deputeti Elmi Reçica. 

“Qendra për vizitorë” do të shërbejë si “derë hyrëse”  për të gjithë qytetarët, studentët dhe nxënësit të cilët planifikojnë të vizitojnë Kuvendin në të ardhmen. Qendra do të ofrojë informata rreth punës së Kuvendit, si dhe për historikun dhe arkitekturën e  ndërtesës së Kuvendit.

Aktivitetet e Kuvendit të Kosovës në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë i mbështeti Instituti Kombëtar Demokratik (NDI).
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)