02 Maj 2024

SHBA-të do të mbështesin fuqishëm shtetndërtimin e Kosovë

Prishtinë, 18 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns.

Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Republikën e Kosovës, për progresin që ka arritur Kosova në katër vjet shtetësi, si dhe për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se “në katër vjetorin e shpalljes shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, Republika e Kosovës është shtet edhe më i konsoliduar, me institucione stabile dhe efektive, me qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit, si dhe respektim afirmativ të komuniteteve”.

“Republika e Kosovës është një tregim i suksesshëm, me të cilin krenohemi të gjithë, por edhe miqtë tanë. Në vitin e katërt të pavarësisë, Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik, diplomatik, dhe atë të zhvillimit ekonomik” – është shprehur në takim kryeministri Thaçi.

Në vazhdim, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se “Viti 2012 është vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e rritjes së standardeve demokratike. Institucionet ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë kanë mbështetur fuqishëm agjendën që çon drejt kësaj përmbylljeje” ka thënë Thaçi.

Në takim me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns, kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë mbështetjën e vazhdueshme që Qeveria Amerikane i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme, që nga procesi i çlirimit, i pavarësimit, si dhe tani në procesin e zhvillimit dhe integrimit.

Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se marrëdhëniet e përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm sa do të thellohen në sferat me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, Zëvendës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, William Burns, pasi ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës për pritjen e përzemërt, ka ritheksuar vazhdimin e përkrahjes së gjithanshme të SHBA-ve për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, Burns në takim po ashtu theksoi se SHBA-të do të mbështesin fuqishëm shtetndërtimin e Kosovës, edhe pas përmbylljes së mbikqyrjes së Pavarësisë.

Para takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA). 

Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, William Burns dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)