02 Maj 2024

SHBA mbeten të përkushtuara ndaj sovranitetit të Kosovëss

Prishtinë, 19 shkurt - Zëvendës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) William Burns pas përfundimit të vizitës së tij në Prishtinë, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë, tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Kosovës.

“Me ju ne sot qëndrojmë vendosmërisht, ashtu siç qëndruam me ju në të kaluarën, gjersa ju punoni për të ndërtuar një Kosovë më të sigurt, më paqësore dhe më prosperuese”, ka theksuar Burns.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës që ato të përmbushin detyrimet e tyre për të përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur dhe për ardhmërinë evropiane të Kosovës. 

Sipas tij, sikur edhe Shtetet e Bashkuara edhe Kosova përfiton nga një trashëgimi kulturore e llojllojshme dhe e pasur, dhe sikurse Shtetet e Bashkuara, edhe Kosova duhet të punojë çdo ditë që ta ruajë atë.

”Miqësia e fortë dhe e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara me Kosovën dihet mirë. Ne jemi thellësisht krenarë me të. Ne mbesim të përkushtuar ndaj pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Duke shprehur përkrahjen për Kosovën në bisedimet e saj me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ai tha se “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropian kërkojnë nga të dyja anët që të jenë fleksibile dhe kreative për të siguruar që edhe Serbia edhe Kosova janë në gjendje të marrin pjesë në forumet rajonale. Të dyja anët duhet të gjejnë një formulë me të cilën do të jenë të rehatshme”.

Ai nënvizoi se kjo çështje është e ndjeshme dhe e ndërlikuar, por sipas tij, është po ashtu e rëndësishme të kuptohet mundësia që tash është pranë.

E tërë kjo çështje sipas tij ka të bëjë me atë se si Kosova mund të fitojë të drejtën për ta përfaqësuar veten në organizatat rajonale dhe si ajo mund të vendosë themelet për marrëdhënie më të afërta me Evropën.

“Përmbushja e kësaj të drejte dhe përfitimi i rastit për të marrë pjesë si e barabartë dhe për të përfaqësuar veten, është një përfitim i madh për Kosovën. Të gjitha çështjet tjera simbolike dhe teknike të cilat nxisin aq shumë komente sot, janë më pak të rëndësishme në krahasim me të pasurit e zërit dhe karriges në tryezë dhe kjo është ajo që e bën sovranitetin” tha zëvendës sekretari Burns.

Vizita e zëvendëssekretarit amerikan ndodhi në një periudhë të përpjekjeve për të siguruar vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë ngecur për shkak të mospajtimeve rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Serbia ngulë këmbë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Prishtina hedh poshtë një gjë të tillë. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)