29 Prill 2024

SHBA mbeten të përkushtuara ndaj sovranitetit të Kosovës

Washington, 4 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është duke qëndruar me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, sot është takuar me Sekretarja Amerikane e Shtetit, znj. Hillary Clinton.

“Kryeministri Thaçi është duke e udhëhequr shtetin drejt të ardhmes për qytetarët e Kosovës, atë të ardhme që e kanë dashur qytetarët e Kosovës dhe atë të ardhme të dëshiruar edhe nga Shtetet e Bashkuara, një partneritet të plotë dhe anëtarësim në strukturat euroatlantike dhe evropiane” është shprehur në fillim të adresimit të saj para medias në Washington, sekretarja Clinton.

Më tej, znj.Clinton ka thënë se në takimin me kryeministrin Thaçi është diskutuar për  progresin që e ka arritur Kosova në promovimin e të ardhmes së saj evropiane.

“Shtetet e Bashkuara fuqimisht mbështesin dialogun që po e zhvillohet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dhe gjithashtu jemi të kënaqur me marrëveshjet e arritura” ka thënë Sekretarja Amerikane e Shtetit, znj. Hillary Clinton dhe ka shtuar se “Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”.

Në deklaratën e saj, pas takimit, sekretarja Clinton po ashtu ka theksuar se marrëveshjet që janë arritur në këtë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë krijojnë parakushte për pjesëmarrjen e Kosovës në forume, dhe Kosova do të ketë një përfaqësim të barabartë me shtetet tjera. Prandaj, ka shtuar znj.Clinton, inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të jenë të përkushtuara ndaj këtij dialogu dhe të implementojnë çdo gjë, për të cilën janë marrë vesh.

Gjithashtu, sekretarja Clinton ka përgëzuar Bashkimin Evropian për marrjen e vendimit të nisjes së Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, që paraqet një hap përpara drejt anëtarësimit për në BE për Kosovën. Kjo tregon se në Kosovë, por edhe në Bashkimin Evropian janë të përkushtuar që të fuqizojnë marrëdhëniet e tyre - ka thënë sekretarja Clinton.

“Përfundimisht, Grupi Drejtues për Kosovën tani ka filluar me përgatitje për të përmbyllur procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2012, ndonëse mbetet shumë për të bërë. Gjithsesi Qeveria është duke miratuar legjislacionin dhe duke ngritur institucionet, të cilat do të udhëheqin reformat demokratike dhe të sigurojnë sundim të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës."

"Ky vendim gjithashtu sinjalizon që një Kosovë stabile dhe e pavarur është e gatshme për një pjesëmarrje të plotë dhe anëtarësim në Bashkësinë Ndërkombëtare” ka theksuar Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

“Shtetet e Bashkuara, zoti kryeministër, janë  krahëpërkah në favor të Kosovës, derisa të vazhdohet rruga për të ardhmen e Kosovës. Dua t'iu falënderoj edhe juve dhe t'iu përgëzoj për gjithë punën e arritur dhe për progresin që ne sot e shënojmë” është shprehur Sekretarja Clinton, pas takimit me Kryeministrin Thaçi.

Në takim Kryeministri Thaçi e njoftoi Sekretaren e Shtetit, Clinton, për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e reformave të gjithëmbarshme.

Kryeministri Hashim Thaçi e falënderoi Sekretaren Clinton për përkrahjen dhe angazhimin e saj personal në lidhje me dialogun dhe marrëveshjet e fundit të arritura në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në SHBA, nesër do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Zëvendës Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)