20 Prill 2024

SHBA dhe Britania kërkojn largimin e bllokadave në veriun e Kosovës

Prishtinë, 11 dhjetor - Ambasadat amerikane në Prishtinë dhe në Beograd kanë bërë thirrje sot që të hiqen të gjitha bllokadat në rrugët e veriut të Kosovës dhe të punohet për shtensionimin e situatës në zonë.

Në një deklaratë të përbashkët thuhet se Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale.

“Ne e kuptojmë se autoritetet e Kosovës kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve të Kosovës dhe popullatës lokale”, thuhet në deklaratë.

“Ata që ngritën bllokada të paligjshme duhet t'i heqin ato menjëherë. Ne presim që t'u jepet fund të gjitha kërcënimeve për dhunë dhe frikësimit”, thuhet në deklaratë në të cilën u shprehet mirënjohje dhe mbështetje forcave të NATO-s për përpjekjet e tyre për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit.

“Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë në të cilënu bëhet thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një shtensionim të situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese.

“Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështjet shqetësuese”, përfundon deklarata e përbashkët e ambasadave amerikane në Kosovë dhe Serbi.

Ngjashëm reaguan edhe ambasadat britanike në Prishtinë dhe në Beograd, duke shprehur shqetësimin për situatën aktuale në veriun e Kosovës pas ndalimit “të një individi të dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj autoriteteve të Kosovës. Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve të Kosovës dhe popullatës lokale”.

Ambasadat britanike thanë se presin që “të gjitha pengesat e paligjshme të hiqen dhe t'u jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit”.

Për të dytën ditë me radhë grupe serbësh po mbajnë të bllokuara rrugët në veri në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të një ish pjesëtari të policisë , nën dyshimet për përfshirje në një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zonë dhe pjesëtarëve të policisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se e ka kuptuar dhe e priste mesazhin e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, “edhe pse jam i zhgënjyer. Unë e interpretoj kështu që ata po përkundin foshnjën e tyre”, tha ai duke ju referuar njohjes së pavarësisë së Kosovës nga fuqitë perëndimore.

“Thonë se problemi janë bllokadat. Nuk i bëri dikush si një trill për t’u ngrirë nga të ftohtët. Ato nuk e pengojnë lëvizjen e asnjë shqiptari. Ato janë ngritur për të protestuar kundër arrestimeve të njerëzve, ngacmimeve, mospërmbushjes së marrëveshjeve...”, tha presidenti serb të dielën në mbrëmje, pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë për shkak të situatës në veriun e Kosovës.

Ai tha se ajo çfarë po ndodhë aktualisht është “përpjekje për ta përmbyllur problemin serb në Kosovë në të cilën po marrin pjesë (Albin) Kurti, Prishtina dhe një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti serb u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të qetë dhe te “mos bien më provokime”, ndërsa nënvizoi se “sulmet mbi EULEX-in dhe KFOR-in, nuk guxojnë të ndodhin”.

 

/zeriamerikes/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)