Seanca e fundit e sesionit vjeshtor më 20 dhjetor

Prishtinë, 13 dhjetor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për seancën e fundit të sesionit vjeshtor, e cila fillon më 20 dhjetor dhe e cila mund të zgjasë dy ose rri ditë, deri sa të procedohen të gjitha porjektligjet që i plotësojnë kushtet për tu shtruar në rend dite.
Pika më e rëndësishme për këtë seancë do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektbuxhetit të Kosovës, i cili, bashkë me amendamentet e propozuara, do të nxirret për miratim në Kuvend.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen për herë të parë: Projektkodi penal i Republikës së Kosovës, pastaj Projektligji për qendrën e Prizrenit, Projektligji për bujqësi organike, Projektligji për Arkivat, Projektligji për parkun kombëtar Sharri, Projektligji për parkun kombëtar Bjeshkët e Nemuna, si dhe Projektligjit për deminimin humanitar.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen edhe gjashtë projektligje të tjera: Projektligji për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, Projektligji për ndihmë juridike falas, Projektligji për të huajt, Projektligji për Azilin, Projektligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve, si dhe Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Në seancë do të shqyrtohet edhe Raporti i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për tokën bujqësore, Raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për liritë fetare në Kosovë, si dhe çështje të tjera që i plotësojnë kushtet të shqyrtohen në seancën e fundit të sesionit vjeshtor.
Kryesia në mbledhjen e sotme është njoftuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të disa neneve të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, si dhe është njoftuar për skadim mandati të dy gjyqtarëve të kësaj gjykate.