Sabit Veseli i dha gjithçka atdheut

Prishtinë, 6 gusht - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në përvjetorin e vdekjes së veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Sabit Veseli, ka thënë se Sabiti i dha gjithçka atdheut dhe kurrë nuk kërkoi asgjë prej tij.
Sabit Veseli ka humbur jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni në fshatin Kushtovë të Mitrovicës më 6 gusht 2010.
Postimi i plotë i Veselit në profilin e tij në Facebook:
Vëlla, shok, bashkëluftëtari im, Sabit Veseli,
Në ditën tragjike kur të humbëm, nuk arrita kurrë të të them lamtumirë.
Sa herë që vjen gushti, unë vij pranë vendit të prehjes tënde, por prapë s mundem të ta them këtë fjalë.
Përmes fjalëve tua e kuptova realitetin e hidhur politik në të cilin jetonim, realitetin e shtypjes dhe robërisë.
Përmes mendimeve tua njoha vizionin në të cilin duhej të punonim që atë realitet ta përmbysim.
Përmes veprimtarisë tënde patriotike u njoha dhe u bëra pjesë e lëvizjeve tona kombëtare për çlirimin e Kosovës.
Vëlla Sabit, në natën më të errët për vendin tonë, ti na i tregove rrugët e lirisë. Ecëm së bashku këtyre rrugëve dhe ia dolëm.
Ti i dhe gjithçka atdheut dhe kurrë nuk kërkove asgjë prej tij. Kurrë.
Sepse heronjtë nuk bëjnë llogari me atdheun.
Sepse njeriu nuk lind për veten e vet, por për atdheun.