27 Prill 2024

Rezoluta 1244, pengesë për vazhdimin e dialogut teknik

Prishtinë, 19 janar - Kryenegociatorja Edita Tahiri ka bërë përgjegjëse Serbinë për mos vijimin e dialogut teknik, e cila sipas saj është duke insistuar që Kosova të përfaqësohet në bashkëpunimin rajonal nën Rezolutën 1244.

Në këtë kontekst, ajo ka deklaruar se në asnjë rrethanë Kosova nuk do të pranojë të përfaqësohet me këtë rezolutë.

“Pozicioni i Serbisë për çështjen e bashkëpunimit rajonal është duke u lidhur me referencat e Rezolutës 1244. Ndërkohë Kosova është e prerë në këtë çështje. Nuk mund të ketë asnjë referencë të Rezolutës 1244 dhe të UNMIK-ut sa i përket përfaqësimit të Kosovës në bashkëpunimet rajonale”, ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se insistimi i Serbisë për një kërkesë të tillë nuk ka bazë juridike.

“Insistimi i Serbisë në këtë drejtim nuk ka as bazë ligjore e as politike, sepse kemi realitete të tjera në rajon. Kosova është shtet i pavarur, i konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND)”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Kosova është e përkushtuar që ky dialog të vazhdojë këtë muaj.

“Të gjitha angazhimet tona janë që ky dialog të vazhdojë në këtë muaj. Kosova ka platformën e qartë për bashkëpunim rajonal, telekomin dhe energjinë”, është shprehur Tahiri. Ajo e ka akuzuar Serbinë se është duke e shkelur Traktatin e Athinës për energji në raport me Kosovën.

Tahiri ka folur edhe për zbatimin e gjashtë marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik. Ajo ka thënë se të gjitha marrëveshjet janë duke u realizuar sipas parimit të reciprocitetit.

Kryenegociatorja Tahiri ka bërë me dije se Qeveria është duke e shqyrtuar mbulimin e targave serbe të cilat do të qarkullojnë në Kosovë. “Jemi duke zhvilluar konsulta brenda Qeverisë për këtë çështje. Këto konsulta do të vazhdojnë edhe me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës”, ka thënë Tahiri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)