11 Maj 2024

Rexhepi ka paralajmëruar ndëshkim për policët

Prishtinë, 11 qershor - Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se është krenar me Policinë e Kosovës, pavarësisht vjedhjes së rreth 25 kilogramë ari në “Dhomën e dëshmive” në Stacionin Policor në Komunën e Pejës.

Sipas Rexhepit, shumica e policëve janë punëtorë të zellshëm, por ai ka thënë se ka edhe të atillë që mund ta keqpërdorin detyrën zyrtare, e të cilët do të sanksionohen. “Jam shumë krenar që Policia e Kosovës qëndron ndër institucionet më të respektuara në vendin tonë. Shumica dërrmuese e policëve janë të mirë por, si në çdo institucion tjetër, ka njerëz të cilët i mund ‘kajta’, korruptohen ose e keqpërdorin detyrën”, është shprehur Rexhepi.

Ai ka deklaruar se në Republikën e Kosovës janë krijuar mekanizmat e nevojshëm për luftimin e dukurive negative dhe se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është duke e bërë punë e tij në hetimet e policëve të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. “Brenda Policisë së Kosovës janë krijuar mekanizmat shumë më efikas për t’i ndaluar dukuritë negative.

Në këtë drejtim Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është duke e bërë një punë të shkëlqyeshme në hetimet e policëve, sidomos në ato vende ku ka dyshime për vepër penale”, ka thënë Rexhepi.

Duke folur më detajisht për rastin e vjedhjes në “Dhomën e dëshmive” në Stacionin Policor në Pejë, ministri Rexhepi ka bërë me dije se IPK-ja së bashku me prokurorin janë duke punuar maksimalisht në gjetjen e vjedhësve. “IPK-ja në konsultim me prokurorin janë duke e bërë një punë shumë të mirë në rastin e Pejës.

Pas vjedhjes në dhomën e evidencave në Prishtinë, e cila ka ndodhur para mandatit tim, fatkeqësisht ende nuk është zbuluar rasti.

Në atë kohë këtë rast e pati marrë EULEX-i, i cili për dy vjet nuk bëri asgjë. Rasti i vjedhjes në Pejë është i një natyre tjetër. Mjetet e vjedhura janë kryesisht ari dhe argjend”, është shprehur Rexhepi, i cili ka bërë me dije se marrja në pyetje e zyrtarëve policorë në Pejë për këtë vjedhje fillimisht ka qenë në një numër më të vogël, por që tashmë është zgjeruar pista e hetimeve. “Në bazë të dhënave që kemi, objekti ka qenë i sigurisë së lartë.

Problemi i vetëm ka qenë se nuk ka pasur instalim të kamerave deri para një muaj. Aty nuk ka pasur ndërhyrje nga jashtë dhe realisht katër zyrtarë që kanë pasur qasje në çelësa kanë qenë të dyshuarit e parë, konkretisht një zyrtare femër, e cila ka qenë drejtpërdrejt përgjegjëse për atë dhomë të dëshmive, është e para e dyshuar. Intervistimi për këtë çështje është duke u bërë në një grup më të gjerë”, është shprehur Rexhepi.

Në këtë kontekst, Rexhepi është shprehur optimist se rasti i vjedhjes së arit në “Dhomën e dëshmive” në Stacionin Policor në Pejë do të zbardhet shumë shpejt. “Jam optimist se shumë shpejt do të zbulohet rasti dhe ata të cilët kanë bërë vjedhje duhet ta marrin dënimin e merituar. Pas këtij rasti drejtori i policisë e ka kryer detyrën e tij, duke e shkarkuar drejtorin rajonal, edhe pse ka qenë i gatshëm të japë dorëheqje, si dhe i ka suspenduar katër zyrtarët të tjerë të policisë, të cilët janë në procedurë të hetimeve”, ka deklaruar Rexhepi.


Mjetet e sekuestruara të mbahen në Prishtinë

Bajram Rexhepi, ministër i MPB-së, ka thënë se ka ardhur koha që mjetet e sekuestruara të cilat gjenden në stacionet policore rajonale të vendosen në Agjencinë për Asetet e Konfiskuara, e cila menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë.

“Në Kosovë ekziston Agjencia për Asetet e Konfiskuara, të cilën, në bazë të Kodit Penal, e menaxhon Ministria e Drejtësisë. Është koha që nëse në rajone kemi mjete të sekuestruara, të dërgohen në këtë agjenci. Agjencia për Asetet e Konfiskuara e ka përgjegjësinë për sigurinë e këtyre mjeteve të cilat i takojnë shtetit”, ka deklaruar Rexhepi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)