30 Prill 2024

Quint-i mbështet qeverinë për shtrirjen e sovranitetit te Kosovës

Prishtinë, 15 shtator - Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u takuan me Kryeministrin Thaçi sot paradite për të biseduar lidhur me zbatimin e procedurave të reja doganore që fillojnë më 16 shtator.

Ambasadorët shprehën mirënjohjen e tyre për mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in dhe EULEX-in gjatë përgatitjeve për këtë hap të rëndësishëm për Kosovën. A

Ambasadorët kanë nxitur qeverinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare.

Po ashtu, ata kanë mirëpritur dhe mbështetur deklaratat e dhëna dje nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini dhe Shefi i misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe shprehën mbështetjen e tyre për pritjet se tash mund të hiqen embargot për tregti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke hapur shtegun për përparim të mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ambasadorët përsëritën mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, përfshirë edhe në veri, duke shtuar po ashtu se ne duhet të punojmë së bashku për të shpejtuar përpjekjet për të rivendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën tjetër të veriut.

Ata shprehën mirënjohjen për përkushtimin e Kryeministrit për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës përfitojnë në mënyrë të barabartë nga sundimi i ligjit dhe mirëpritën regjimin e ri doganor si një hap pozitiv në këtë drejtim.

Ambasadorët theksuan se çelësi i suksesit i të gjitha këtyre përpjekjeve ishte këshillimi dhe marrëveshja në mes të qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë.