13 Maj 2024

Qeveria zotohet se liberalzimi i vizave do të përmbyllet shpejtë

Prishtinë, 14 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndetë dorëzimin e shumëpritur të Udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, të ndërmarrë sot nga Komisioni Evropian, e që është dhënë në koordinim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ky sipas qeverisë është edhe një konfirmim i qartë që Kosova është duke shkuar me hapa të sigurt drejt integrimit evropian dhe puna në këtë drejtim do të shpërblehet me përfitime konkrete për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh kënaqësinë që ky proces për përmbushjen e parakushteve për të arritur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, që është ofruar sot është në pajtim me politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe është i ngjashëm me procesin integrues të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria zotohet se në mënyrë që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë, kërkesat përbrenda kapitujve, që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve, rendin publik dhe sigurinë dhe të drejtat fundamentale, si dhe kushteve të mbetura rreth ripranimit dhe riatdhesimin do t’i trajtojë si prioritet.

Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në procesin e deritanishëm. Ky kapitull i procesit është përmbyllur falë përkushtimit të institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal në adresimin e sfidave që kanë të bëjnë me migrimin, sigurinë e dokumenteve, reformat në fushën e sundimit të ligjit, si dhe përmirësimin e  kushteve për ripranim dhe ri-integrim të personave të riatdhesuar. Nga tani e tutje ky përkushtim do të jetë kyç në mënyrë që ky proces të shkojë përpara.

Dorëzim-pranimi i udhërrëfyesit për liberalizim të vizave është bërë gjatë takimit të sotëm që Komisionerja për Punë të Brendshme, znj. Cecilia Malmström ka pasur me Ministren për Integrim Evropian të Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj.Vlora Çitaku dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Pjesë e këtij delegacioni kanë qenë edhe Kryetari i Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, Lutfi Haziri, kryetarët e komunave, Qemajl Mustafa – Gjilan, Ali Berisha – Pejë, Haki Rugova – Istog dhe Bojan Stojanoviq – Graçanicë.

Sot  mbahet edhe “Takimi i parë i Zyrtarëve të nivelit të lartë”, ku një delegacion i Komisionit Evropian i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm i Drejtoratit për Punë të Brendshme, Stefano Manservisi do të jep shpjegime të hollësishme rreth përmbajtjes së udhërrëfyesit.

Në këtë takim përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës do të prezantojnë të arriturat e deritanishme në fushat që mbulon udhërrëfyesi, si dhe hapat që Qeveria do t’i ndërmerr në vazhdim në mënyrë që i gjithë procesi të përshpejtohet për të siguruar lirinë e lëvizjes për të  qytetarët e Republikës së Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)