04 Maj 2024

Qeveria shpalos prioritetet strategjike për vitin 2012

Prishtinë, 5 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 55-të ka diskutuar Planin Vjetor të Punës për vitin 2012 si dhe ka miratuar Planin Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2012-2016.

Në mbledhje është miratur vendimi për inicimin e procedurës për shpronësimin e parcelës nr 606-6, zona kadastrale në Polac, komuna Skenderaj, si dhe është miratuar vendimi përfundimtar për ndryshimin e shpronësimit në segmentin 1,2,3 dhe 4 në Autostradën Vermicë-Merdare.

Duke folur për prioritetet e vitit 2012, kryeministri Thaçi theksoi se ky vit do të jetë një vit i sukseseve historike për Kosovën. Do të kemi realizimin e plotë të Planit vjetor të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2012- ka theksuar kryeministri Thaçi.

“Ashtu siç edhe parashihet me Rregulloren e Punës së Qeverisë, draft plani vjetor i punës së Qeverisë për vitin 2012, përmban prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë pjesë e Programit të Qeverisë 2011-2014, Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014 dhe Programit, Vizionit dhe Prioritetet për Zhvillimin Ekonomik. Këto prioritete janë të orientuara drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, social dhe institucional të Republikës së Kosovës” – është shprehur kryeministri Thaçi.

Para kabinetit qeveritar, kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar prioritetet strategjike të Qeverisë për vitin 2012:

“Përkrahja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, qeverisja e mirë dhe fuqizimi i sundimit të ligjit, zhvillimi i kapaciteteve të kapitalit njerëzor dhe rritja e mirëqenies sociale, janë prioritete strategjike të përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës për vitin 2012” – tha z.Thaçi dhe shtoi se realizimi i këtyre objektiave është i mbështetur në buxhetin e dedikuar, si dhe në politikat të cilat Qeveria synon t’i realizojë.

Në takimin e sotëm të Qeverisë, kryeministri Thaçi ka ripotenvuar se prioritetet kryesore për vitin 2012 do të vazhdojnë të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; perspektiva konkrete evropiane, përkatësisht implementimi i agjendës evropiane, që ndërlidhet drejtpërdrejt me rend dhe ligj; përmbyllja e plotë e suksesshme e pavarësisë së mbikëqyrur; rritja e zhvillimit ekonomik dhe rritja e mirëqenies sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Thaçi ka përshëndetur iniciativën e presidentes për formimin e një Këshilli Antikorrupsion, si dhe ka shprehur zotimin e plotë që Qeveria e Republikës së Kosovës të vazhdojë të mbetet në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative.

Vetëm me një gjithë përfshirje të të gjitha institucioneve do të kemi sukses në betejën për rend dhe ligj – ka thënë z.Thaçi dhe ka shtuar se fitorja në betejën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nënkupton definitivisht konsolidim dhe forcim të shtetit, përmbyllje të pavarësisë së mbikëqyrur, sukses në integrimet evropiane, rritje të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale, ndërtim të shtetit demokratik, të rendit dhe ligjit, të një shoqërie civile të perspektivës perëndimore.

Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria sot ka miratuar vendimin për inicimin e procedurës për shpronësimin e parcelës nr 606-6, zona kadastrale në Polac, komuna Skenderaj.

Po ashtu sot është miratuar vendimi përfundimtar për ndryshimin e shpronësimit në segmentin 1,2,3 dhe 4 në Autostradën Vermicë-Merdare.

Qeveria ka diskutuar dhe miratuar edhe Planin Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2012-2016.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është njoftuar nga zëvendësministri Ilir Mirena lidhur me zbatimin e vendimit të Qeverisë lidhur me shfrytëzimin e inerteve të lumenjve. Sipas z. Mirena ky vendim i cili ka hyrë në fuqi me 3 janar 2012 është duke u zbatuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës pa asnjë kundërshtim.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka njoftuar lidhur me dialogun Prishtinë –Beograd . “Raundi i ardhshëm pritet të mbahet kah mesi i muajit janar dhe në agjendë do të jenë tri  çështje që kanë qenë edhe më herët në diskutim: bashkëpunimi rajonal, telekomunikacionit dhe energjia. Pozicioni ynë është i qartë por nga ana tjetër pala serbe nuk ka treguar një interesim serioz”, ka thënë Znj Tahiri.

Ndërkaq, Zëvendëskryeministrja dhe ministër i Tregtisë  dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka informuar për rikthimin e masave preferenciale me BE-në. Sipas Znj Kusari- Lila kjo shënon një normalizim të plotë të marrëdhënieve tregtare të Kosovës me gjithë rajonin dhe mundësisë për të gjithë prodhuesit për eksportimin e mallrave në BE-në.

Ministri Bedri Hamza ka njoftuar për Raportin financiar të të hyrave gjatë vitit 2011. Sipas ministrit Hamza është tejkaluar plani i të hyrave në 2011. Dy institucionet kryesore Dogana dhe ATK kanë tejkaluar të hyrat për 18 për qind dhe kemi një përmbushje pothuajse 100 % të  parashikimeve për vitin e kaluar.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)