13 Maj 2024

Qeveria dhe Kuvendi shkelin procedurat e ligjbërjes

Prishtinë, 20 qershor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sot ka publikuar Raportin mujor nga monitorimi i punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për muajin maj 2012.

Përfaqësues të KDI-së, në një konferencë për media kanë prezantuar të gjetura për këtë periudhë, e që sipas tyre po ndikojnë në efektivitetin e punës së legjislativit.

Isuf Zejna nga KDI, ka thënë se në këtë periudhë raportuese KDI si shqetësim kryesor ka gjetur faktin se Kuvendi përmes një Projektligji të vetëm po tenton t’i ndryshoj 21 ligje të cilat janë në fuqi aktualisht dhe që kanë të bëjnë me procesin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të vendit.

\"Kjo është një praktikë e pa njohur deri më tani në Kosovë, krejt e re dhe konsiderojmë se është edhe e mbrapshtë pasi tenton të bëjë zgjidhje të shpejtë krejt pa nevojë, duke refuzuar që të amendamentohet secili Ligj veç e veç.\"

Paradoksal sipas Zejnas është vet emri i Projektligjit i cili ka një vëllim prej dy faqesh A4 dhe konsiderojmë që si i tillë do të sjellë vështirësi në zbatim dhe interpretim.

Kjo praktik sipas tij është krejt e pa qëlluar dhe e pa nevojshme për t’u aplikuar tani, andaj i bëjmë thirrje Kuvendit që të mos e miratoj si të tillë këtë Projektligj, pasi i njëjti do të ishte në kundërshtim me standardet e praktikave të mira juridike, ka thënë z.Zejna.

Çështje po kaq shqetësuese sipas KDI-së, është edhe kontrolli i shpenzimit të parasë publike. Kuvendi i Kosovës nuk interesohet se si shpenzohet Buxheti i Kosovës.

Kuvendi në seancën e datës 10.05.2012 ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve të buxhetit për 2011, mirëpo kjo çështje nuk ka ngritur as pak interesimin e deputetëve për të debatuar. Raporti është miratuar pa debat të njëmendët dhe vetëm me një diskutim të deputetit dhe deklarimet e grupeve parlamentare.

Në çdo vend demokratik, kjo do të ishte një ndër çështjet kryesore për debatin vjetor, krahas përcaktimit të buxhetit për Qeverinë, mirëpo në Kosovë ky raport i buxhetit po trajtohet vetëm sipërfaqësisht sa për të përmbushur procedurat e domosdoshme formale, tha më tej z. Zejna.

Vërejtje serioze në këtë raport, i është dhënë edhe pjesëmarrjes së deputetëve në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve të Kuvendit.

Zejna shtoi se, jo rrallë herë në këtë legjislaturë janë ndërprerë seancat e Kuvendit për mungesë kuorumi dhe është penguar puna efektive e tij pikërisht për arsye se deputetët ose ishin në kafenetë e kryeqytetit ose në bufenë e Kuvendit, por nuk ishin në sallë aty ku edhe e kanë vendin.

Kjo sipas KDI-së është një papërgjegjësi elementare dhe i bëjmë thirrje Kuvendit që të marrë masat përkatëse për të siguruar që deputetët të jenë të pranishëm në kohën e seancave plenare dhe mbledhjeve të Komisioneve.

Po ashtu taksa rrugore dhe ambientale e cila është proceduar nga Qeveria në Kuvend, është kritikuar nga KDI se nuk siguron destinimin në përputhje me qëllimin që është përcaktuar.

\"Taksa do të shkoj në të hyrat e rregullta të buxhetit të Kosovës dhe KDI shpreh brengën se e njëjta mund të shërbej vetëm për të mbuluar deficitin e Qeverisë.\"

KDI i ka bërë thirrje Kuvendit që të bëjë amendamentimet e nevojshme këtij Projektligji për të garantuar destinimin direkt të taksës me qëllim të mbrojtjes së ambientit në Kosovë.

Nga ana tjetër  Florije Mehmeti nga KDI, ka përmendur parregullsitë e vazhdueshme të cilat po e përcjellin punën e Kuvendit e që KDI do t’i përsëris të njëjtat deri sa ato të mos adresohen nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Të tilla për shembull sipas saj janë vlerësuar , mbyllja e mbledhjeve të Kryesisë për monitorim të organizatave vendore në Kosovë dhe medieve, përfaqësimi gjinorë në trupat e Kuvendit dhe transmetimi i pjesshëm i seancave plenare të Kuvendit.

KDI në këtë konferencë po ashtu ka lansuar fillimin e implementimit të projektit të ri të mbështetur nga UNDP, lidhur me monitorimin e punës së Kuvendit e që ka të bëjë me analizën e projektligjeve të cilat shqyrtohen në Kuvend, lidhur me përfshirjen sociale në përputhje me dokumentet relevante të OKB-së të cilat rregullojnë dhe përcaktojnë standarde të përfshirjes sociale në legjislacionin vendor.

KDI ka inkurajuar mediat dhe qytetarët që të ofrojnë qasjen dhe rekomandimet e tyre përmes  web-faqes “Vota Ime”, me qëllim të avancimit të përmbajtjes së ligjeve në përputhje me kërkesat që dalin nga dokumentet e miratuara nga institucionet relevante ndërkombëtare.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)