18 Maj 2024

Promovohet doracaku për rolin e komisioneve parlamentare

Prishtinë, 3 korrik - Funksioni mbikëqyrës i komisioneve të Kuvendit – progresi dhe sfidat, ishte temë e tryezës së sotme, e cila u organizua nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në bashkëpunim me Depratamentin Ligjor të Kuvendit të Kosovës.

Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze ishte diskutimi rreth progresit dhe sfidave të komisioneve gjatë ushtrimit të funksionit të tyre mbikëqyrës, por edhe gjetjes së mënyrave për rritjen e performancës në të ardhmen. Në funksion të kësaj, u promovua edhe një doracak.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, foli për mekanizmat që Kuvendi përdor në funksion të ushtrimit të rolit të tij mbikëqyrës, duke vënë një theks të veçantë te komisionet parlamentare. Ajo u ndal, veçanërisht, në punën e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

“Komisioni për Buxhet dhe Financa, si komision funksional dhe i përhershëm, në planin vjetor të punës, përveç tjerash, ka paraparë edhe aktivitetet mbikëqyrëse, që përfshijnë: mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, organizimin e dëgjimeve publike, shqyrtimin e raporteve vjetore dhe  raporteve tremujore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, raporteve vjetore të punës për institucionet dhe agjencionet që bien në fushëveprimatrinë e komisionit, si dhe raportet financiare vjetore të të gjitha institucioneve dhe agjensioneve që i raportojnë Kuvendit”, theksoi Hadërgjonaj. 

Drejtori i Programit Legjislativ të NDI-së, Alex Chavarria, theksoi se paralelisht me ligjbërjen dhe përfaqësimin, mbikëqyrja e degës ekzekutive dhe llogaridhënia e saj, është njëra ndër përgjegjësitë kryesore të Kuvendit.

Mbikëqyrja parlamentare, theksoi Chavarria, synon aktivitete monitoruese ndaj qeverisë, për efikasitet dhe transparencë, si dhe për të siguruar që fondet e ndara shfrytëzohen në mënyre ligjore dhe efektive.

Ai radhiti një varg mekanizmash që Kuvendi përdorë në kuadër të ushtrimit të këtij funksioni, ndërkaq shtroi nevojën e fuqizimit të marrëdhënieve profesionale dhe teknike ndërmjet stafeve të komisioneve dhe atyre të ministrive të linjës. 

Duke theksuar peshën dhe rëndësinë e funksionit mbikëqyrës komisioneve parlamentare, Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, shfaqi përkushtimin e administratës për të mbështetur dhe për të qenë në shërbim të tyre.

Doracakun e prezantuar sot, ai e konsideroi si një përpjekje të Kuvendit dhe të NDI-së, për të unifikuar procedurat dhe thjeshtësuar ato gjatë zbatimit në praktikë. 

“Nga vet përmbajtja, vërehet se doracaku u ka dhënë peshë, në radhë të parë, definimit të funksionit mbikëqyrës, planifikimit të aktiviteteve dhe zbatimit të planit të veprimit”, theksoi sekretari i Kuvendit.

Ai foli edhe për hapat që po ndërmerr Kuvendi në funksion të rritjes dhe bashkëpunimit me institucionet dhe agjensionet që i raportojnë Kuvendit, me partnerët dhe shoqërinë civile.

Edhe Agron Demi nga Instituti GAP, gjatë fjalës së tij, u fokusua në përmbajtjen e doracakut dhe mundësive për rritjen e rolit të komisioneve.

Kryetarë të komisioneve, përfaqësues të agjensioneve të pavarura, të OSBE-së e të shoqërisë civile, folën gjerësisht për praktikat e deritashme të punës së komisioneve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, duke shtruar nevojën e rritjes së kapaciteteve në të ardhmen.

Doracaku, ndërkaq, u vlerësua i një rëndësie të veçantë për anëtarët e komisioneve, stafet mbështetëse, shoqërinë civile dhe mediat.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)