27 Prill 2024

Presidentja Osmani priti në takim kryeministrin e Holandës dhe të Luksemburgut

Prishtinë, 4 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.

Takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.

Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku.

Më tej, Presidentja Osmani theksoi se  aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi  nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.

Një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale të dhe të sigurisë në veriun e vendit.

Presidentja Osmani tha se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të  shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.

Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.

Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Takimi i Presidentes Osmani me kryeministrat Rutte dhe Bettel u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)