29 Prill 2024

Presidentja Osmani e pranoi çmimin “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”

Frasnitë, 11 prill - Në një ceremoni të veçantë, të organizuar sot në komunën arbëreshe të Italisë, Frasnitë, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, iu nda çmimi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ky çmim i është ndarë Presidentes nga kryetari i kësaj komune, z. Angelo Catapano.

Presidentja Osmani ia shprehu mirënjohjen e saj kryetarit Catapano dhe komunës së Frasnitës për çmimin dhe kujdesin e vazhdueshëm për ruajtjen dhe kultivimin e lidhjeve kulturore me hapësirat shqiptare. Ajo e vlerësoi atë si çmim që u ndahet përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Presidentja theksoi se Frasnita është e njohur në kulturën shqiptare si vend në të cilin, krahas Makit e vendeve të tjera arbëreshe, është mbrojtur ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit.

“Frasnita”, tha presidentja Osmani, “i ka dhënë letërsisë e kulturës shqiptare personalitete e vepra të shquara, të cilat qëndrojnë në themele të vlerave tona kulturore e letrare”. Vincenco Dorsa, Bernard Bilota, Vora Ujko e shumë personalitete të tjera janë pjesë e rëndësishme e thesarit tonë kulturor e letrar”.

Më tej, Presidentja Osmani tha se vizita në Kalabri bart më vete mirënjohjen e thellë të cilën ne e kemi për gjithë çfarë i kanë dhënë arbëreshët kulturës e trungut të tyre etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë. Identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Prandaj, ruajtja e saj arbëreshe është jetike për kulturën tonë.

“Ne i kemi inkurajuar institucionet e Kosovës dhe dëshiroj ta diskutoj me komunat arbëreshe mundësinë që të hartojmë projekte për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të asaj që në shkencën bashkëkohore njihet si kujtesë gojore”, tha Presidentja Osmani.

Po sot, Presidentja Osmani, së bashku me kryetarin e komunës së Frasnitës, z. Katapano inauguruan sheshin “Kosova”, në qytetin e Frasnitës. Presidentja theksoi se inaugurimi i sheshit me emrin e Kosovës është dëshmi e ruajtjes së raporteve të thella të cilat ne i kemi kultivuar tradicionalisht me komunat arbëreshe.

Ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër arbëreshëve tanë, në mënyrë që ata t’i ruajnë e t’i kultivojnë më tej gjuhën, traditat dhe kulturën arbëreshe”, theksoi Presidentja.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)