30 Prill 2024

Presidentja Jahjaga u kthye nga vizita zyrtare në Bruksel

Prishtinë 8 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u kthye sot nga vizita zyrtare në Bruksel.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Jahjaga u takua me z.Stefan Fule, Komisionar i Bashkimit Evropian për Zgjerim, me znj. Catherine Ashton, përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, me Herman Van Rompuy, kryetar i Këshillit Evropian, me Jerzy Buzek, President i Parlamentit Evropian, dhe me Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Po kështu, Presidentja Atifete Jahjaga mbajti një fjalë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Delegacionit për Evropën Juglindore, organizoi një darkë për një grup eurodeputetësh të të gjithë krahëve politikë të Parlamentit Evropian, si dhe vizitoi ambasadën  e Kosovës në Bruksel.

Kjo është hera e parë që një udhëheqësi të Kosovës i bëhet një pritje në nivelin më të lartë zyrtar në BE duke treguar kështu, siç u tha nga mikpritësit, përkushtimin e institucioneve të BE-së për Kosovën dhe përkrahjen për Presidenten Jahjaga.