05 Maj 2024

Përmirësohet imazhi i Kosovës

Prishtinë, 30 maj - Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, është shprehur tejet e kënaqur që institucioni që ajo e drejton ka arritur me sukses ta përmbyllë edhe një proces zgjedhor.

Daka në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se KQZ-ja e ka kaluar suksesshëm testin në Ferizaj, duke organizuar zgjedhje të cilat i kanë plotësuar të gjitha standardet.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Ferizajt kanë qenë mjaft të rregullta, këtë e vërteton edhe fakti se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) janë bërë vetëm pesë ankesa, të cilat nuk e dëmtojnë procesin si dhe nuk ndikojnë në rezultat. Prandaj, vetë fakti se ka një numër kaq të vogël të ankesave, tregon se procesi zgjedhor i së dielës ka qenë i rregullt dhe në përputhje me ligjin”, është shprehur Daka.

Po ashtu, ajo ka thënë se me zgjedhjet e së dielës është përmirësuar imazhi i KQZ-së si dhe i tërë Republikës së Kosovës.

“Procesi zgjedhor i Komunës së Ferizajt e ka përmirësuar dukshëm imazhin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por edhe të shtetit të Kosovës në përgjithësi, pasi në zgjedhje nuk pasqyrohet vetëm imazhi i KQZ-së, por edhe i pjesëmarrësve si dhe i tërë vendit”, ka thënë Daka, duke shtuar se meritor për këtë sukses në Ferizaj është në radhë të parë KQZ-ja, por edhe subjektet politike, si dhe qytetarët.

“Mendoj se KQZ-ja ka pasur mbikëqyrje të plotë në këtë proces zgjedhor, po ashtu edhe subjektet politike e kanë rritur vetëdijen, si dhe votuesit kanë qenë në nivelin e duhur. Pra, si rezultat i gjithë kësaj çdo gjë ka shkuar për së mbari, prandaj është kënaqësi që, qoftë edhe për një komunë, KQZ-ja ka arritur t’i plotësojë standardet”, ka deklaruar Daka.


Kryetarja e KQZ-së ka thënë se procesi zgjedhor i Ferizajt duhet të jetë shembull për proceset e ardhshme zgjedhore. “Procesi zgjedhor në Komunën e Ferizajt do të duhej të ishte një mësim i mirë për zgjedhjet e ardhshme. Kishte me qenë një tregues i mirë se ne mund të organizojmë dhe mbajmë zgjedhje të mira, të rregullta dhe demokratike.

Kjo vërtetoi se edhe subjektet politike mund t’i respektojnë ligjet, qytetarët treguan vetëdijesim, kurse KQZ-ja bëri organizim të mirë. Kjo është një tregues që kur Kosova dëshiron  mund të organizojë dhe mbajë zgjedhje të mira. Do të ishte mirë që për të gjitha proceset e ardhshme Ferizaj të jetë shembull pozitiv”, ka deklaruar Daka.

Shefja e KQZ-së shpreson se edhe më 17 qershor zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Kaçanikut të zhvillohen sikurse ato në Ferizaj. “Po shpresojmë që edhe zgjedhjet për kryetar të Komunës së Kaçanikut do të zhvillohen në frymë të tillë. Në këtë drejtim besojmë edhe në mbështetjen e subjekteve politike, duke respektuar rregullat dhe ligjin, në mënyrë që edhe zgjedhjet në Kaçanik të zhvillohen dhe të organizohen mirë sikurse ato në Ferizaj”, ka deklaruar Daka.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)