27 Prill 2024

Parashikohet garë interesante për kryetar të komunës së Kaçanikut

Prishtinë, 4 qershor - Gara e 17 qershorit për të parin e komunës së Kaçanikut nga analistët politikë është vlerësuar një “betejë” e lehtë.

Analisti Behxhet Shala ka thënë se partia më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do t’i fitojë zgjedhjet në këtë komunë, pasi është favorite në këtë garë. “Edhe në këtë komunë PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet, pa ndonjë telashe, sepse është favorite. Nuk ka ndonjë kandidat që mund ta sfidojë PDK-në.

Duhet ta kemi parasysh se zgjedhjet nëpër komuna po fitohen në bazë të meritave partiake dhe të liderëve. Kurse sa i përket opozitës, ajo është e shpërndarë dhe nuk po mund të gjejë ndonjë gjuhë të përbashkët për t’i fituar zgjedhjet. Rasti më i mirë për këtë ka qenë Ferizaj, ku është lëshuar nga opozita, kurse në Kaçanik do ta kenë me vështirë të bëhet bashkë opozita”, ka deklaruar Shala për “Epokën e re”.


Sido që të jetë, ai ka thënë se edhe në Komunën e Kaçanikut në raundin e parë të zgjedhjeve asnjëri prej kandidatëve nuk do të mund të marrë vota të mjaftueshme për ta qeverisur këtë komunë. “Mendoj se edhe këtu do të shkohet në balotazh, pasi në raundin e parë të zgjedhjeve asnjëri prej kandidatëve nuk do t’i marrë votat e mjaftueshme. “Konsideroj se edhe në Kaçanik, sikurse në Ferizaj, do të përsëritet e njëjta garë në mes të kandidatëve të dy partive të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së”, është shprehur Shala.

Grabovci: Vazhdojmë serinë e fitoreve

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se PDK-ja do ta vazhdojë serinë e fitoreve nëpër komunat e Republikës së Kosovës. “Fillimisht u kërkojmë falje qytetarëve të Kaçanikut, të cilët me vite rresht e kanë mbështetur PDK-në.

Kemi punuar së bashku dhe jemi shumë të sigurt se do ta vazhdojmë serinë e fitoreve që edhe më tutje të punojmë dhe të qeverisim së bashku me kaçanikasit. Edhe më tutje do ta japim kontributin tonë për ta përmirësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve. Po ashtu, do të punojmë fuqishëm për zhvillimin e Kaçanikut dhe për ofrimin e tij me komunat e tjera qoftë në nivel vendi apo edhe më gjerë”, ka theksuar Grabovci për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se fitorja e PDK-së në Kaçanik do të mbështet në qeverisjen e deritanishme si dhe në vlerat e kandidatit Besim Ilazi. “Padyshim se Komuna e Kaçanikut ka nevojë për Ilazin dhe kanë nevojë të gjithë qytetarët e Kaçanikut.

Kemi besim të plotë se PDK-ja dhe kandidati i saj më 17 qershor do të përkrahet nga të gjithë qytetarët dhe jo vetëm nga anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së. Prandaj, fitoren e PDK-së në Kaçanik e mbështesim në punën tonë, te vlerat tona, dhe me theks të veçantë te vlerat e kandidatit tonë, Besim Ilazi”, është shprehur Grabovci, duke shtuar se PDK-ja do t’i fitojë votat e mjaftueshme qysh në raundin e parë.

“Edhe pse ka një konkurrencë të fortë në këtë garë, megjithatë kemi besim të madh që fitorja e PDK-së do të arrihet që në raundin e parë të zgjedhjeve. Është një kandidat i cili ka një bagazh intelektual, politik dhe kombëtar. Ilazi ka dhënë një kontribut të çmuar për çlirimin dhe pavarësimin e vendit. Po ashtu, Ilazi ka kontribuar në zhvillimin e komunës së Kaçanikut dhe në ndërtimin e shtetit në përgjithësi”, ka deklaruar Grabovci.

Beqiri: Synojmë fitore në Kaçanik

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka thënë të dielën se LDK-ja synon fitore në zgjedhjet e 17 qershorit për kryetar të Komunës së Kaçanikut.

“Shpresojmë shumë që trendi i rritjes së votave për LDK-në do të jetë edhe në Kaçanik. Ne kemi hyrë në këtë garë për t’i fituar zgjedhjet, pasi kemi një kandidat mjaft të përgatitur për ta qeverisur Kaçanikun. Kandidati i LDK-së, përveçse ka kontribuar shumë në parti, po ashtu ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshme në luftën për çlirimin dhe pavarësimin e vendit. LDK-ja e ka kandidaturën mjaft serioze për t’i fituar zgjedhjet në Kaçanik. Prandaj jemi të bindur në fitoren e LDK-së në Kaçanik”, ka thënë Beqiri për “Epokën e re”.

Po në këtë kontekst ai ka shtuar se qytetarët këtë herë do t’i vlerësojnë vlerat dhe vizionin e qartë për të ardhmen e tyre. “Jemi të bindur në fitoren e LDK-së, pasi qytetarët janë ngopur me keqqeverisje si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.

LDK-ja i ka hyrë kësaj gare me synimin që qysh në raundin e parë t’i fitojë zgjedhjet në Kaçanik, por sigurisht sse të gjitha janë të mundshme, prandaj mund të ndodhë që të ketë nevojë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve, por ne gjithsesi presim të korrim fitore në këtë komunë”, është shprehur Beqiri.

Ai ka thënë se, përveç fitores, është e rëndësishme të ketë zgjedhje demokratike dhe pa keqpërdorime. “Shpresojmë që të gjithë pjesëmarrësit ta kryejnë punën e tyre, në mënyrë që të ketë zgjedhje të rregullta dhe demokratike. Duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku që të kemi proces të rregullt, pa manipulime dhe pa keqpërdorime. Prandaj, shpresojmë në proces të rregullt dhe të mos ndodhë që vullneti i qytetarëve në kuti të votimit mos të materializohet”, ka deklaruar Beqiri.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)