03 Maj 2024

Pacolli i gatshëm të përballet me opozitën në Kuvend

Prishtinë, 14 qershor - Përfaqësuesit e partive opozitare kanë adresuar kritika për bartësit e politikës së jashtme të Kosovës, konkretisht për mosrezultate konkrete në shtimin e njohjeve.


Ndërkohë, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka shprehur gatishmëri që në çdo kohë të raportojë në Kuvend për punën e vet nëse një gjë e tillë do t’i kërkohet nga opozita.


“Shtimi i numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës është parësor në punën time, për këtë çështje unë kam raportuar javën e kaluar në mbledhjen e kabinetit qeveritar, nëse kërkohet nga unë të raportoj edhe para deputetëve, atëherë më shumë kënaqësi do ta bëj këtë, pra, jam i gatshëm në çdo kohë të raportoj për punën time në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë për “Epokën e re”, Pacolli.


Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen kryeministri Thaçi apo zëvendëskryeministri Pacolli të thirren në interpelancë për këtë çështje.


“Për mossuksese në politikën e jashtme, konkretisht për mungesë të njohjeve, nuk e përjashtojmë mundësinë ta thërrasim në interpelancë kryeministrin apo zëvendëskryeministrin Pacolli, megjithatë jemi duke e analizuar këtë çështje, sepse dëshirojmë që interpelanca të ketë dobi dhe të mos bëhet vetëm sa për t’u arsyetuar kabineti qeveritar për mospunën apo për t’u lavdëruar për atë që nuk e ka bërë”, ka thënë Beqiri.


Ai ka deklaruar se mungesa e rezultateve konkrete në diplomacinë e Kosovës është si pasojë e moskoordinimit dhe mungesës së një strategjie të mirëfilltë lobuese.


“Fatkeqësisht edhe në këtë dikaster të kësaj qeverie ka mospunë dhe mungesë të rezultateve. Kjo është si pasojë e moskoordinimit dhe mungesës së një strategjie të mirëfillte lobuese.

 

Njohjet nuk janë punë individësh, por për këtë çështje duhet të angazhohen të gjithë, përfshirë këtu edhe diplomacinë parlamentare, e cila duhet të jetë më aktive”, ka deklaruar Beqiri.



Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Thaçi apo edhe zëvendësit e tij të ftohen në Kuvend për të raportuar për punën e tyre rreth lobimit, “Sikur Kosova të kishte më shumë njohje do ta kishte më të lehtë që të anëtarësohet në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.


Për këtë barrën kryesore e ka kryeministri Hashim Thaçi në rend të parë, pastaj zëvendësit e tij, pikërisht për mungesë të njohjeve nuk e përjashtojmë mundësinë të iniciojmë kërkesë për interpelancë parlamentare, nëse ne nuk e bëjmë një gjë të tillë, sigurisht se do ta bëjnë dy partitë e tjera opozitare”, ka thënë Konjufca.


Kritika për politikën e jashtme ka adresuar edhe deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, sipas tij, përfaqësuesit e kabinetit qeveritar duhet të punojnë më shumë për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për ta shtuar numrin e njohjeve.


“Edhe më herët e kemi kritikuar Qeverinë për këtë çështje por, fatkeqësisht, as sot nuk ka shenja pozitive në këtë fushë, sepse për muaj të tërë nuk kemi njohje, prandaj kërkojmë nga Qeveria të punojë me shumë në këtë drejtim.

 

Ne do të kërkojmë llogaridhënie nga kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministri për punën e tyre”, është shprehur Isufi.

 

Zëvendëskryeministri Pacolli prej se e ka marrë këtë post qeveritar, pavarësisht lobimit, nuk ka sjellë asnjë njohje për Kosovën.

 

Kosova deri më tash është njohur nga 76 shtete.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)