27 Prill 2024

Opozita: Jo format të ri bisedimesh për veriun

Prishtinë, 4 qershor - Përfaqësuesit e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), janë deklaruar kundër një formati të ri bisedimesh për veriun.

Përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve politike, të cilat kanë qenë pjesë e proceseve të rëndësishme në bisedime për vendin, kanë thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet kushtetuese për veriun dhe të mos lë hapësirë për ndonjë format të ri bisedimesh për veriun.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, tani deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati, ka thënë për “Epokën e re” se nëse flitet për format të ri të bisedimeve, në kuptimin e zhvillimeve pozitive për veriun, që nënkupton rritjen e kontaktit të institucioneve të Republikës së Kosovës, sipas tij, do të jetë shumë pozitive. “Nëse mendohet në diçka tjetër, bisedime politike, pra që veriu të trajtohet ende si një territor për bisedime, absolutisht jam kundër dhe mendoj se do të ketë pasoja”, ka treguar Ferati.

Ai ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin mbi Beogradin që mos të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një shteti tjetër. “Bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin mbi Beogradin, pra t’ia thotë gjërat se cilat janë progresive dhe regresive si për Beogradin, strukturat paralele, për krimin e organizuar dhe për mungesën e sundimit të ligjit”, ka thënë Ferati.

Ai ka shtuar se në këtë kontekst duhet edhe një vullnet më i shtuar i institucioneve të Kosovës, në këtë rast Qeverisë ndaj zgjidhjes së çështjes së veriut. “Duhet një qartësi e konceptit. Duhet të jenë në dispozicion analizat më të mira për veriun. Pastaj duhet një dialog me praninë ndërkombëtare këtu në Kosovë, në rend të parë me misionet e përfaqësimit diplomatik. Pastaj edhe me qendrat e vendimmarrjes, Brukselin në rend të parë, ngase po lëviz më ngadalë sa i përket veriut. Gjithashtu, edhe Nju Jorku. Mendoj se Uashingtoni po jep deklarata të fuqishme ende në mbështetje të plotë të domosdoshmërisë së progresit në veri. Këto janë ato detyrat që duhet t’i bëjë Qeveria”, ka deklaruar Ferati. 

Ferati është shprehur se duhet një seriozitet i Qeverisë për veriun, e jo të fitohet besimi se nëpërmjet deklaratave mund të lëvizë vetvetiu diçka për të mirë në atë pjesë. “Nuk duhet të besojmë se gjërat do të lëvizin vetvetiu. Pra, të fitohet besimi se nëpërmjet një deklaratë mund ta ndërrojmë gjendjen në veri. Deri tash nuk është marrë me përkushtim të plotë çështja e veriut. Mendoj se tani është çasti i fundit t’i ndajmë detyrat në raport me veriun”, ka theksuar Ferati.

Ferati e ka konsideruar më së të nevojshme një tryezë të rrumbullakët në mes të pozitës dhe opozitës për veriun. “Shumë e dobishme dhe e domosdoshme. Veriu duhet të jetë çështje edhe e shoqërisë kosovare, jo vetëm e institucioneve pozitë-opozitë. Duhet të jetë e inkuadruar edhe klasa akademike”, ka thënë Ferati.

Isufi: Qeveria mos të lë hapësirë diskutimesh për veriun

Më i zëshëm se Ferati ka qenë në kritika për veriun nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, i cili njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës për Siguri. Isufi ka thënë për “Epokën e re” se nuk është i nevojshëm kurrfarë formati bisedimesh apo ekipesh për veriun. Sipas tij, i nevojshëm është zbatimi i Kushtetutës në këtë pjesë.

Isufi ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk merr veprime për ta zbatuar Kushtetutën e Kosovës në veri, atëherë mund të vijë deri te luhatja e qëndrimeve të Bashkësisë Ndërkombëtare, që mund të nënkuptojë edhe format të ri bisedimesh. “Nëse Qeveria e Kosovës nuk bën zbatimin adekuat të ligjeve dhe angazhimin institucional të saj në veri dhe merret vetëm me improvizime, atëherë lejon që edhe Bashkësia Ndërkombëtare të luhatet në qëndrimet e saj. Qeveria duhet t’i përmbushë obligimet Kushtetuese në mënyrë që të mos lë hapësirë diskutimesh dhe hapje të çështjes së veriut”, ka thënë Isufi.

Isufi ka thënë se institucionet e vendit duhet të instalohen në veri. “Improvizimeve u ka kaluar koha. Duhet të instalohen institucionet ashtu si i parasheh drafti i presidentit Ahtisari dhe Kushtetuta në mënyrë që të kemi integrim të veriut e jo iniciativa ashtu siç ka dështuar edhe roli i koordinatorit për veriun, i cili asnjëherë nuk ka dhënë përgjegjësi”, është shprehur Isufi.

Isufi ka thënë se kjo situatë e brishtë në veri po i konvenon edhe Qeverisë së Kosovës. “Kjo situatë po i konvenon edhe kësaj qeverie dhe një pjese të qarqeve të cilat po dëshirojnë të përfitojnë, duke lejuar krimin dhe kontrabandën në veri me veprime antiligjore”, ka thënë Isufi.

Edhe Isufi është shprehur i pajtimit se është dashur të ndodhë një tryezë e rrumbullakët pozitë-opozitë për të diskutuar për veriun. “Qeveria e Kosovës në fillim është dashur të krijojë mundësi të bashkëpunimit me partitë politike dhe me organizmat e tjerë me të cilët është dashur t’i bashkërendojë veprimet për veriun”, ka thënë Isufi.(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)