01 Maj 2024

Nuk ka çështje të hapura ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë

Prishtinë, 26 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kanë pritur në takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi.

Pas takimit, Ministri Hoxhaj dhe Zëvendëskryeministri Xhaferi kanë mbajtur një konferencë për medie ku kanë shpalosur vullnetin e dy shteteve për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm.

Ministri Hoxhaj tha se vizita të tilla i thellojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së  Kosovës dhe asaj të Maqedonisë.

“Marrëdhëniet tona në rrafshin politik dhe diplomatik janë në nivelin më të lartë, mirëpo edhe marrëdhëniet ekonomike, tregtare, arsimore dhe kulturore ndërmjet Kosovës dhe të Maqedonisë janë të shkëlqyera”, tha ndër të tjera Hoxha,j duke përmendur faktin se ndërmjet dy vendeve tashmë janë nënshkruar 14 marrëveshje bilaterale në këto katër vitet e fundit.  Sipas tij, ky fakt flet për një bashkëpunim të mirëfilltë institucional por edhe për një bashkëpunim të mirëfilltë mes njerëzve, bizneseve dhe dy vendeve tona.

Hoxhaj po ashtu ka shprehur mbështetjen e fuqishme të Republikës së Kosovës për Maqedoninë në rrugën e saj evropiane, për anëtarësim në BE por edhe në NATO.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka përmendur projekte e reja që pritet të realizohen me qëllim të forcimit të  bashkëpunimit dhe shkëmbimeve mes dy vendeve, duke përmendur prioritetin e Qeverisë së Kosovës për lidhjen e Kosovës me Maqedoninë përmes një autostrade si dhe për ndërtimin e vendkalimeve të reja kufitare mes dy vendeve.

Hoxhaj deklaroi gjithashtu se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është kufiri i vetëm në  pjesën e ish-Jugosllavisë i cili është i demarkuar, gjë që, siç u shpreh ai, dëshmon se ndërmjet dy vendeve nuk ka ndonjë çështje të hapur.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, tha se gjatë takimit me Kryeministrin Thaçi dhe Ministrin Hoxhaj është biseduar për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe interesave të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

“Jemi dy vende që për nga kapaciteti jemi vende të vogla, shtete të reja edhe kemi nevojë si shtete fqinje të drejtohemi të njëri-tjetri, t’i tejkalojmë sfidat sa më shpejtë si vende të reja dhe të kalojmë përtej asaj që është interes rajonal dhe të ngjitemi në projekte që përfshijnë gjithë rajonin siç mund të jenë infrastruktura apo projekte të natyrave të tjera me interes evropian dhe euroatlantik”, tha Xhaferi.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, po ashtu theksoi interesin e dy vendeve për intensifikimin e

bashkëpunimit arsimor dhe kulturor duke theksuar edhe nevojën e hapjes së pikave të reja kufitare mes dy vende si dhe zhvillimin dhe avancimin lidhjeve infrastrukturore.

Ministri Hoxhaj dhe Zëvendëskryeministri Xhaferi kanë folur edhe për situatën dhe zhvillimet në veri të Kosovës.

Ministri Hoxhaj tha se qasja e Qeverisë së Kosovës për stabilizimin e gjendjes në veri është e njëjtë me qasjen e aplikuar për sa i përket gjendjes në pjesët e tjera brenda Kosovës.

Ai ka rikujtuar faktin se deri në vitin 2008-2009 strukturat paralele kanë ekzistuar edhe në brenda territorit të Kosovës, por se atë botë me një vendosmëri të madhe të Qeverisë që ta implementojë Pakon e Ahtisaarit është arritur integrimi i komunitetit serb në pushtetin lokal dhe në pushtetin qindor.

“Nuk mund të ndodhë që një grup etnik në një pjesë të territorit të Kosovë të ketë të drejta më të avancuara ndërsa në pjesën tjetër të territorit të ketë më pak të drejta, ju e dini që shumica e serbëve që jetojnë në Kosovë jetojnë në jug të Lumit Ibër”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu ka vlerësuar se problemet dhe situata në veri ka qenë edhe e karakterit të sigurisë.

“Prej ish-trashëgimisë së Millosheviqit e vetmja mbetje në ish-hapësirën jugosllave janë ato struktura paralele që kanë mbetur në veri të Kosovës. Në këto 12-13 vite të fundit nuk ka pas zgjedhje të lira, nuk ka pas pjesëmarrje demokratike të qytetarëve në institucione demokratike dhe qasja jonë është që përmes instalimit të institucioneve demokratike, ta integrojmë atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha Hoxhaj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë edhe për jetësimin e Marrëveshjes për menaxhimin ndërkufitar.

“Veriu është pjesë e Kosovës dhe do të mbetet pjesë e Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës në formë demokratike është e interesuar që në çdo formë dhe me çdo kusht ta integrojë këtë pjesë me pjesën tjetër të shtetit të Kosovës”, deklaroi Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)