03 Maj 2024

Nesër nis konferenca “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Pajtimi"

Prishtinë, 18 maj - Konferenca ndërkombëtare me titull “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Pajtimi – Çfarë lloj mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet Kosovës?”, e organizuar bashkërisht nga ICO-ja dhe Ministria e Drejtësisë do të mbahet në Prishtinë më 22 maj në Hotelin Emerald.

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, anëtarë të Qeverisë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të diskutojnë për çështje komplekse dhe ndonjëherë edhe emocionale të ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin gjatë konferencës që do të zgjasë një ditë të plotë.

Fjala hyrëse do të mbahet nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith. Konferenca do të përmbyllet me një diskutim në tryezën e rrumbullakët që do të moderohet nga Jeta Xharra, drejtuese e emisionit debatues “Jeta në Kosovë”.

Kosova ka pasur një të kaluar të vështirë dhe të dhimbshme, dhe gjurmët nga konflikti i fundit janë edhe sot të pranishme në jetën e përditshme të qytetarëve.

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith, tha: “Sikurse për të gjitha vendet në rajon, ballafaqimi me të kaluarën është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës. Derisa gjithnjë e më shumë  po afrohet përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur, jemi shumë të kënaqur që Qeveria është pajtuar të marrë rolin prijës në caktimin e një agjende shtetërore për këtë”.

“ICO-ja dhe palët e tjera të interesuara kryesore ndërkombëtare po i ndihmojnë Kosovës që të ballafaqohet me të kaluarën e vet, por çelësi për këtë çështje është pronësia vendore. Unë sinqerisht shpresoj se aktorët politikë, socialë dhe komuniteti do ta ndihmojnë qeverinë në përpjekjet e saj për miratimin e një sërë nismash të drejtësisë transicionale që çojnë deri te pajtimi.”

Konferenca publike do të sigurojë një forum ku palët e interesuara kryesore vendore dhe ndërkombëtare do të fillojnë të angazhohen në një dialog rreth asaj se çfarë mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet Kosovës për t’u ballafaquar publikisht, hapur dhe në mënyrë përfshirëse me rrëfimet e së kaluarës në mënyrë që ajo ta ndërtojë të ardhmen e saj. Objektivi i kësaj konference është sensibilizimi i publikut dhe inicimi i përkrahjes publike për Qeverinë që ajo ta çojë këtë çështje përpara.   

Në nenin 2.5 të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) thuhet, Kosova do të promovojë dhe respektojë në tërësi procesin e pajtimit në mes të të gjitha komuniteteve të saj dhe pjesëtarëve të tyre. Kosova do të zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse, me ndjeshmëri gjinore, për t’u ballafaquar me të kaluarën e saj, e cila do të përfshijë një varg të gjerë iniciativash të drejtësisë kalimtare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)