17 Maj 2024

Ndarja s’ndalet me Kosovën

Prishtinë, 25 shtator - Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se kërkesa për ndarje të Kosovës mund të shkaktojë “lëvizje tektonike” në rajon. Ky reagim i zëvendëskryeministrit Kuçi ka ardhur pas deklaratës së kryeministrit serb, Ivica Daçiq, se “ndarja e Kosovës është zgjidhja më reale”.

Kuçi ka thënë se për çdo ndryshim të kufijve në Ballkan duhet që të tjerët të mendojnë më shumë se shqiptarët. “Kemi menduar se ka ndryshuar Daçiqi, kemi menduar jo ai si individ, por Serbia si mentalitet, por mendoj se këtu përgjigjen më të mirë duhet ta japë bota demokratike. Çdo kërkesë ose lëvizje në këtë drejtim ka lëvizje tektonike, pastaj le të mendojnë të tjerët më shumë se shqiptarët”, ka thënë Kuçi para gazetarëve.

Ai ka theksuar se deklaratat e Daçiqit janë ide të vjetra dhe të kundërshtuara nga bota demokratike. “Nuk është ide e re as nga Daçiqi e as nga Serbia. Është ide që është kundërshtuar nga bota demokratike dhe nga ne. Pavarësia e Kosovës është kompromisi që kanë bërë shqiptarët në rajon.

S’ka qenë optimumi që kanë dashur shqiptarët. Serbia është ajo që tash po tenton të krijojë telashe, njëherë me gjenocid, pastaj të ndalet pavarësia, tash me ndarjen e Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.


Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës. Sekretari i kësaj partie, Ismet Beqiri, ka thënë për “Epokën e re” se Serbia vazhdon që në forma të ndryshme ta shprehë idenë e ndarjes, e cila është e papranueshme në rend të parë nga Kosova, pastaj edhe nga bashkësia ndërkombëtare. “Për LDK-në është e papranueshme çfarëdolloj ideje që do të prodhonte ndarje të Kosovës.

Edhe zyrtarët serbë, mirëpo edhe të gjithë të tjerët që përmendin ndarjen duhet ta kenë parasysh se ndarja hap ‘Kutinë e Pandorës’. Po ashtu, do t’i riciklonte problemet në këtë pjesë të Evropës, në të cilën ka shumë banorë shqiptarë.

Prandaj, nëse diçka e tillë do të tentohej atëherë duhet pasur parasysh edhe problemin e Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe atë të Kosovës Lindore”, është shprehur Beqiri, duke shtuar se kufijtë dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm. “Republika e Kosovës i ka kufijtë e saj, e ka sovranitetin dhe si të tillë duhet të ruajmë. Në asnjë variant nuk do të vinte në shprehje as ndarja si dhe asgjë më shumë sesa që është paraparë me planin e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Beqiri.


Ndërkaq, Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje! ka thënë se ideja e Daçiqit për ndarjen e Kosovës e vërteton edhe një herë aspiratën hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën si territor.

“Ne nuk kemi territor për të dhënë, andaj përgjigjja më e mirë ndaj kësaj ideje është shtrirja e plotë e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, eliminimi i strukturave paralele dhe ilegale të Serbisë në veri dhe funksionalizimi i plotë i shtetësisë së Kosovës atje. Fatkeqësisht, kemi qeveri të korruptuar, e cila nuk po e mbron interesin e vendit, por po shkon në dialog me Serbinë për ta zgjatur jetën e vet në pushtet. Ideja e Daçiqit për ndarjen e Kosovës e vërteton edhe një herë aspiratën hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën si territor”, ka thënë Vraniqi për “Epokën e re”.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e kryeministrit serb. “Nuk do të merremi tani me komentimin e deklaratave të Daçiqit, sepse të gjithë e dimë historinë dhe të kaluarën e tij”, ka thënë Krasniqi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)