12 Maj 2024

Naser Rugova e mbështet Isën

Prishtinë, 11 qershor - Naser Rugova, i cili aktualisht nuk ka pozitë të fuqishme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur si anëtar i thjeshtë i këtij subjekti politik për zhvillimet e fundit në LDK, konkretisht për daljen e Fatmir Sejdiut në terren tek anëtarësia në komunën e Gjakovës dhe për reagimin e liderit aktual, Isa Mustafa.


Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Rugova ka thënë se nuk ka konflikt në LDK, duke mos i parë deklaratat e fundit të Mustafës dhe Sejdiut në një kontekst të tillë.

Për vizitën e Sejdiut në komunën e Gjakovës, në degën e LDK-së, e cila për udhëheqjen aktuale të kësaj partie nuk është legjitime, Rugova ka thënë se nuk e sheh si diçka të keqe. “Vizitën e profesor Sejdiut në Gjakovë nuk e shoh diçka të keqe. Tekefundit, si ish-president dhe kryetar nderi i partisë ka të drejtë t’i takojë njerëzit dhe veprimtarët e ndryshëm të LDK-së”, ka thënë Rugova, duke shtuar se Sejdiu si kryetar nderi dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm e ka rolin dhe kontributin e vet në parti.

Por, Rugova ka thënë se në një subjekt politik duhet të respektohet hierarkia. “Sa i takon z. Sejdiu, ai është kryetar nderi dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, e ka rolin dhe kontributin e vet në parti, por dihet hierarkia dhe rruga zyrtare në subjektin politik”, ka thënë Rugova.

Ai ka treguar se në komunën e Gjakovës ekziston vetëm një degë e LDK-së, e cila para disa ditësh ka pasur për vizitë liderin e partisë, Isa Mustafa. “Në Gjakovë është mbajtur kuvendi i degës atje dhe dega funksionon mirë. Para disa ditësh këtë degë e vizitoi edhe kryetari dhe një delegacion nga kryesia e partisë”, është shprehur Rugova, i cili nuk sheh rivalitet në mes të Mustafës dhe Sejdiut. “Angazhimet e kujtdo qoftë nuk i shoh me nuancën e garës për poste në parti”, ka thënë Rugova.

“Epoka e re”: Z. Rugova, si i shihni zhvillimet e fundit në LDK? Sejdiu ka dalë në skenë, ka vizituar degën e Gjakovës, në anën tjetër Isa Mustafa ka deklaruar se Sejdiu ka vizituar një grup shokësh. Pse duhet të krijohet një konflikt ndërmjet Mustafës dhe Sejdiut kur të dy janë në udhëheqje të partisë? Kuptohet, Sejdiu në pozitën e kryetarit të nderit të LDK-së.

Rugova: Unë mendoj se në LDK nuk ka konflikt. Zhvillimet dinamike në parti i shoh të shëndetshme, dhe si parti e parë pluraliste në trevat shqiptare gjithsesi se idetë më ndryshe dhe mendimet më ndryshe respektohen. LDK-ja tani ka filluar një reformim në të gjithë sektorët e partisë. Shikuar nga këndi im si anëtar i thjeshtë, janë bërë hapa cilësorë në shumë fusha, pastaj edhe hapat e parë drejt një profilizimi të partisë, pjesëmarrja e kryetarit në konferencat e partive popullore evropiane, anëtarësimi në këtë forum respektabil, sigurisht se tregojnë për ndryshime pozitive në parti. Por, sigurisht se reformat vazhdojnë dhe janë proces dinamik. Duhet një debat i gjerë me anëtarësinë dhe strukturat dhe mbetet të punohet edhe në shumë aspekte. Sipas meje, grupi i ekspertëve ka dhënë kontribut të çmuar, por pres një dinamikë më të madhe nga grupi parlamentar, sepse vërtet sfidat e Kosovës në të gjitha aspektet janë të mëdha. Sa i takon z. Sejdiu, ai është kryetar nderi dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, e ka rolin dhe kontributin e vet në parti, por dihet hierarkia dhe rruga zyrtare në subjektin politik. Të gjitha çështjet duhet të hapen në forumet partiake, të cilat, tekefundit, i kanë obligimet, por edhe përgjegjësitë për sukseset e partisë.

“Epoka e re”: Mendoni se ka bërë mirë apo keq që Sejdiu ka vizituar atë degë të LDK-së në Gjakovë, që për udhëheqjen e tanishme të LDK-së nuk konsiderohet legjitime?

Rugova: Rruga zyrtare dhe hierarkia e partisë dihen. LDK-ja ka kryetarin, kryesinë dhe forumet e tjera partiake të rregulluara me statutin e partisë. Në Gjakovë është mbajtur kuvendi i degës atje dhe dega funksionon mirë. Para disa ditësh këtë degë e vizitoi edhe kryetari dhe një delegacion nga kryesia. Në Gjakovë ka vetëm një degë të LDK-së, e cila funksionon normalisht si gjithë degët e tjera. Në vizitën e profesor Sejdiut në Gjakovë nuk shoh diçka të keqe. Tekefundit, si ish-president dhe kryetar nderi i partisë ka të drejtë t’i takojë njerëzit dhe veprimtarët e ndryshëm të LDK-së.

“Epoka e re”: Dalja e Sejdiut në terren, takimi me elektoratin e LDK-së, nënkupton kjo se Isa Mustafa tashmë ka një rival të fortë brenda partisë, Sejdiun, për pozitën e kryetarit të partisë?

Rugova: Në LDK është një kulturë zgjedhore partiake. Nga nëndega e deri te kryetari i partisë zgjedhjet bëhen me kundërkandidat. Kështu ndodhi edhe në kuvendin e fundit të LDK-së. Me statutin e partisë zgjedhjet mbahen çdo 4 vjet, andaj është herët të flitet për garë zgjedhore. Deri më 2014 nuk ka zgjedhje në parti, andaj edhe angazhimet e kujtdo qoftë nuk i shoh me nuancën e garës për pozitë në parti. Do të vije koha e zgjedhjeve dhe aty shihet se kush e ka mbështetjen. Siç thotë populli, mejdani zhvillohet në kuvend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)