Murati pret dy delegacione, nga Kroacia dhe Suedia

Prishtinë, 6 prill - Ministri i Diasporës, Valon Murati priti në dy takime të ndara një delegacion i diasporës Shqiptare nga Republika e Kroacisë, kryesuar nga deputetja Shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj, dhe delegacionin nga Suedia, përkatësisht Idriz Zogaj, trajner i ekipit kombëtar suedez në garën e memories.
Gjatë takimit me deputeten Lekaj, kryetarin e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, z. Esad Qollaku, kryetarin e organizatës së veteranëve Shqiptarë të luftës në Kroaci, z. Tom Kaçinari, futbollistin e mirënjohur Ardian Kozniku, u diskutua thellimi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Diasporës dhe shoqatave Shqiptare në Kroaci.
Në këtë takim ministri Murati u njoftua me iniciativën për themelimin e qendrës kulturore Shqiptare në Kroaci, si dhe u kërkua ndihma institucionale nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje.
Ministri Murati u zotua në përkrahjen institucionale në kuadër të mandatit mbi të cilin punon Ministria e Diasporës në koordinim të plotë edhe me institucionet relevante në Republikën e Shqipërisë.
Po ashtu, ministri Murati u njoftua edhe për procesin e identifikimit të shqiptarëve të vrarë në Kroaci gjatë luftës, dhe kërkuan që qytetarët e Kosovës ë cilët kanë të afërm të zhdukur gjatë kësaj lufte të lajmërohen në ambasadën e Kroacisë në Prishtinë.
Në anën tjetër, gjatë takimit me z. Idriz Zogaj, i cili njëkohësisht është edhe fitues i kampionatit botëror të memories, ministri u njoftua me sukseset individuale por edhe ekipore që janë arritur në garën e memories, si dhe iniciativat për promovimin e kësaj disipline edhe në Kosovë.
Ministri Murati falënderoi z. Zogaj për vizitën dhe për iniciativat e tij duke e quajtur jo vetëm si kontribut të pjesëtarëve të diasporës, por edhe mundësi e mirë që fëmijët të zhvillojnë trurin dhe të përmirësohen dukshëm në procesin mësimor.