18 Maj 2024

MPJ tregohet e kujdesshme me buxhetin

Prishtinë, 6 korrik - Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) gjatë vitit 2011 ka bërë përparime në menaxhimin e buxhetit në krahasim me vitin 2010, kur këtë ministri e ka drejtuar Skënder Hyseni.

Në Raportin e Auditimit për vitin 2011 është thënë se menaxhmenti i MPJ-së në përgjithësi ka ndërtuar një mjedis të mirë të kontrollit.

“Me qëllim të krijimit të një strukture efikase të kontrollit, menaxhmenti i MPJ-së ka funksionalizuar Komitetin e Auditimit dhe është në proces të fuqizimit të Njësisë për Auditim të Brendshëm”, është thënë në konkluzionet e auditorit.

Edhe sa i përket krijimit të legjislacionit të ri, sipas auditorit, menaxhmenti i MJP-së ka treguar përkushtim në plotësimin dhe hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve administrative të ndërlidhura me aktivitetet e përditshme operacionale të shërbimit të jashtëm diplomatik. Megjithëkëtë, një kritikë është që buxheti vjetor nuk është shfrytëzuar në nivelin e duhur, ndonëse politikat buxhetore të këtij viti në raport me vitin e kaluar duket të jenë më efikase në menaxhimin e buxhetit.

Një notë kaluese Auditori Gjeneral ka dhënë edhe për implementimin e rekomandimeve nga raportimi i vitit 2010. “MPJ ka bërë një përparim të konsiderueshëm në adresimin e rekomandimeve në raport me vitin 2010”, thuhet në raportin për vitin 2011. Sipas raportit, MPJ ka shfrytëzuar 82 për qind të buxhetit final. Mosshfrytëzimi i plotë i buxhetit ndërlidhet me ndërtesën e re të MPJ-së që ende nuk është përfunduar. Kjo, sipas auditorit, e ka bërë të pamundur realizimin e disa projekteve dhe blerjeve të planifikuara. “Në krahasim me 2010-në, në vitin 2011 MPJ ka shënuar ngritje të performancës, nga 72 për qind në 82 për qind”, është thënë në konkluzionet e auditorit.

Po ashtu, nota kaluese MPJ-ja ka marrë edhe për pasqyrat financiare, të cilat, sipas auditorit, janë në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës. Mirëpo, sipas raportit, duket se MPJ ende nuk ka gjetur një mekanizëm të duhur për t’i menaxhuar më mirë financat e Ambasadave të Kosovës, të shpërndara në dhjetëra shtete të botës.

“Sistemi i raportimit të brendshëm për të hyrat nga Misionet Diplomatike të Kosovës nuk funksionon mjaftueshëm. Kjo vjen si pasojë e vonesave të raportimeve e shpenzimeve nga ana Misioneve Diplomatike të Kosovës si dhe vonesave në procesin e të dhënave nga zyrtari i të hyrave në MPJ”, është theksuar në raportin e auditimit. Ndërsa sa iu përket shpenzimeve, në raportin e auditorit thuhet se nga mostrat e testuara, vlerësohet se ekzistojnë kontrolle në fushën e menaxhimit të personelit. “Është bërë vlerësimi i performancës vjetore dhe se pagesa është në harmoni me kontratat e punës”, është thënë në këtë raport.


Edhe në prokurim MPJ-ja ka bërë progres në menaxhimin e prokurimit dhe, sipas raportit, vështirësi kryesisht janë hasur në trajtimin dhe vlerësimin e shpenzimeve të misioneve diplomatike që veprojnë jashtë eurozonës. “MPJ ka tejkaluar shpenzimet e telefonisë fikse, edhe pse ajo është arsyetuar me përdorimin e telefonave nga Departamenti për Shërbime Konsullore, i cili është në kontakt me ambasadat dhe qytetarët e Kosovës në botë”, është theksuar në raport.


Sipas Raportit të Auditorit Gjeneral për vitin 2011, MPJ gjatë këtij viti ka arritur ta përmirësojë kontrollin lidhur me menaxhimin dhe raportimin e pasurisë fikse nga Misionet Diplomatike të Kosovës. Gjithashtu, MPJ ka aprovuar një udhëzim administrativ të brendshëm për menaxhimin dhe regjistrimin e pasurisë së Misioneve Diplomatike.

“MPJ gjatë vitit 2011 ka përmbushur të gjitha obligimet apo kërkesat ligjore për deklarimin e raporteve financiare dhe raportimeve të tjera aktuale të nevojshme”, është thënë në këtë raport. Edhe në këtë raport MPJ ka marrë disa rekomandime për përmirësimin e performancës, sidomos në përmirësimin e infrastrukturës ligjore.(Epoka e re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)