14 Maj 2024

MPJ prezantoi Strategjinë për Diplomacinë Digjitale

Prishtinë, 27 korrik - Njohja e Kosovës nga infrastruktura globale e internetit, njohja nga uebfaqet, ndikimi i përmbajtjes së Kosovës në burimet kryesore të informacionit online, ngritja e mënyrës së tregimit për Kosovën duke futur përmbajtje me cilësi të lartë te audienca e synuar, përmirësimi i ndikimit online të MPJ të Kosovës dhe integrimi i komunikimeve digjitale në komunikimet e koordinuara strategjike të qeverisë, janë vetëm disa prej objektivave të Strategjisë së Diplomacisë Digjitale të prezantuara të premten në Prishtinë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, së bashku me Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, Sekretaren e Parë të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Myrna MacGregor, Drejtoreshën e British Council, Arjeta Emra, kanë shpalosur pjesë të strategjisë, synimet e saj dhe rezultatet e pritura.

Zëvendësministri Petrit Selimi tha se kjo strategji është produkt i një partneriteti të gjerë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Ambasadës Norvegjeze, Ambasadës Britanike, Këshillit Britanik dhe Fondacionit IPKO, të cilët siç, tha ai, do të bëjnë të mundur implementimin e saj. Tash së fundi edhe USAID ka vendosur ta përkrah financiarisht implementimin e Strategjisë për Diplomaci Digjitale.

“Është një projekt në të cilin kemi punuar tash e gjashtë muaj, në hartimin e të cilit janë angazhuar ekspertë nga Norvegjia, ekspertë nga Britania, aktivistë të internetit, me qëllim që ta përdorim diplomacinë digjitale, mjetet e reja të informimit në internet për qëllimet e diplomacisë publike dhe njohjes sa më të madhe të Kosovës në botën e jashtme”, tha Selimi.

Ai ka prezantuar pjesët kryesore të Strategjisë, qëllimet dhe objektivat e saj, duke theksuar se ideja e strategjisë është se si ta përdorim diplomacinë digjitale për të zgjidhur problemet e politikës së jashtme.

Selimi po ashtu theksoi se projekti ka qenë i punuar bashkërisht nga MPJ e Kosovës dhe MPJ e Mbretërisë së Bashkuar, dhe se në të janë involvuar ekspertë të komunikimit përfshirë edhe eksperten nga MPJ britanike, Zeenat Khanche, e cila ka qëndruar në Kosovë për 6 javë, si dhe janë zhvilluar konsultime shumë të gjera me palët e interesuar siç janë faqet e ndryshme në internet, ekspert të IT-së dhe përfaqësues të shumë të shoqërisë civile.

Zëvendësministri po ashtu ka theksuar se në kuadër të kësaj strategjie parashihet edhe lobimi i vazhdueshëm, si pjesë e një fushate për një kod të përhershëm të ISO dhe ICANN.

Selimi ka theksuar se strategjia parasheh edhe aktivizimin e qytetarëve në fushata online për të lobuar në uebfaqe individuale në shtetet që rekomandojnë të përfshihet Kosova në listat rënëse në uebfaqe.

Ndërsa, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, tha se është kënaqësi e madhe për të dhe Ambasadën Norvegjeze që të jetë partner në këtë projekt.

Braathu tha se Qeveri Norvegjeze gjithnjë ka qenë mbështetëse e fuqishme e Kosovës, përfshirë edhe diplomacinë kosovare dhe përpjekjet e saj për të projektuar imazhin e “Evropianëve të Rinj” në shtetet tjera dhe për të  fituar në mënyrë të vazhdueshme sa më shumë njohje për shtetësinë e Kosovës

Ai vlerësoi rëndësinë e madhe që ka interneti në informimin e njerëzve në botë, duke theksuar se ky mjet komunikimi na ofron mundësi që mesazhet tona t’ia dërgojmë një audience globale.

Ambasadori Braathu premtoi 50 mijë euro për implementimin e Strategjisë për këtë vit, dhe "më shumë mjete vitin e ardhshëm".

Sekretarja e Parë e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Myrna MacGregor, ka theksuar rëndësinë e diplomacisë digjitale në zhvillimet diplomatike aktuale, duke theksuar mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për projektin në fjalë.

Ndërkaq, Arjeta Emra, nga Këshilli Britanik tha se edhe ky projekt është pjesë e projektit të nisur muaj më parë, “Kosova flet me BE-në”.

“Diplomacia digjitale është një prej mjeteve më të rëndësishme që mund ta ndihmojë procesin e njohjeve dhe të shërbejë informata që janë të vërteta dhe pozitive për Kosovën”, tha Emra

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)