03 Maj 2024

Ministri Hoxhaj shpërndanë letërnjoftimet e para në Berlin

Berlin, 11 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Konsullatën e Kosovës në Berlin, ka shpërndarë letërnjoftimet dhe pasaportat e para të Republikës së Kosovës të lëshuara në këtë konsullatë, pas funksionalizimit të plotë të shërbimeve konsullore.

Në këtë ceremoni kanë qenë prezentë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës e Konsullatës së Kosovës në Berlin. 

Ministri Enver Hoxhaj, i cili në mënyrë simbolike ka shpërndarë letërnjoftimet dhe pasaportat e para për bashkatdhetarët, e ka quajtur ditë të veçantë për Republikën e Kosovës dhe mërgatën kosovare funksionalizmin e plotë të shërbimeve konsullore.

Ministri Hoxhaj ka thënë se konsullatat e Kosovës edhe më herët kanë lëshuar dokumente të ndryshme personale për raste emergjente. Mirëpo tani, sipas Ministrit, 13 misionet konsullore të Kosovës në vende të ndryshme të botës, janë plotësisht funksionale dhe në shërbim të plotë të bashkatdhetarëve tanë për t’i pajisur me dokumente të ndryshme identifikuese dhe për t’i ofruar shërbime të tjera të nevojshme.

“Shumë shpejt punëtorëve të konsullatave të Kosovës do t’iu vijnë në ndihmë edhe ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, gjë që do të shtojë edhe më tutje efikasitetin dhe nivelin e shërbimeve që do t’iu ofrohen bashkatdhetarëve tanë në mërgatë”, ka thënë Ministri Enver Hoxhaj.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita, është shprehur shumë i lumtur me faktin se nga sot konsullatat e Berlinit, Shtutgardit dhe Frankfurtit janë të gatshme të lëshojnë dokumente personale të Republikës së Kosovës për mërgimtarët kosovarë.

“Ne kemi marrë tashmë shumë aplikacione për dokumente të ndryshme dhe jemi të përkushtuar që t’iu përgjigjemi kërkesave dhe nevojave të qytetarëve tanë”, ka thënë Mirdita, duke kërkuar mirëkuptimin e bashkatdhetarëve për vonesat eventuale, për shkak të fluksit të kërkesave më të cilin mund të përballen konsullatat e Kosovës në Gjermani.

Ministri Hoxhaj dhe Ambasadori Mirdita janë shprehur të bindur se procesi i pajisjes me dokumente personale të qytetarëve të Kosovës në mërgatë do të jetë i suksesshëm, dhe se stafi i konsullatave me ndihmën edhe të ekspertëve nga Kosova, do të tejkalojnë sfidat me të cilat mund të ballafaqohen në këtë fazë.

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka njoftuar të gjithë mërgimtarët se të trembëdhjetë Misionet Konsullore të Republikës së Kosovës janë të gatshme të pranojnë kërkesat e shtetasve të Kosovës, për pajisje me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.

Tashmë, në Misionet Konsullore të Kosovës është montuar e gjithë teknika e nevojshme, ka përfunduar infrastruktura ligjore dhe janë dërguar aplikacionet e nevojshme për pajisje me letërnjoftime dhe pasaporta.

Stafi i konsullatave do të punojë me intensitet të shtuar, më qëllim të ofrimit të shërbimeve për sa më shumë qytetarë të Kosovës me banim jashtë vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)