Ministri Hoxhaj priti delegatin apostolik të Vatikanit, Juliusz Janusz

Prishtinë, 5 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, delegatin apostolik të Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë.
Ministri Hoxhaj i uroi mirëseardhje në Republikën e Kosovës delegatit apostolik Juliusz Janusz, i cili njëkohësisht është nunci apostolik për Slloveni, duke shprehur mirënjohjen dhe konsideratat e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për përkrahjen që ka dhënë Vatikani për Kosovën.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Selinë e Shenjtë, duke shprehur bindjen se Vatikani do të ketë rol edhe më të fuqishëm në progresin e Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj dhe delegati apostolik për Kosovën, Juliusz Janusz, gjatë ditës do të zhvillojnë edhe një takim bilateral ku do të diskutohet për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.