30 Prill 2024

Ministri Hoxhaj merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit

Prishtinë, 9 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, me 9 dhe 10 shtator do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.

Ministri Hoxhaj, gjatë punimeve të këtij forumi të nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë burrështetas, politikanë, përfaqësues të ekonomisë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, do të zhvilloj takime me përfaqësues dhe homologë të shumë shteteve të botës të cilët do të jenë prezentë në Bled.

Në këtë forum, të gjashtin me radhë, do të trajtohen sfidat e ardhshme strategjike që lidhen me aspektet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, fuqitë ekonomike, kurse me theks të veçantë do të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me ekonomitë me rritje të shpejtë.

Forumi Strategjik i Bledit, ka për qëllim promovimin e një dialogu strategjik të nivelit të lartë ndërmjet liderëve nga sektorët privatë dhe publikë, në çështjet kyçe me të cilat përballet Evropa në shekullin 21.