19 Maj 2024

Memli Krasniqi manipulon me vullnetin e zgjedhësve

Prishtinë, 19 dhjetor - Garë e nxehtë në Degën e PDK-së në Prishtinë. Pas Memli Krasniqit, kandidaturën për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë e kanë konfirmuar edhe Shemsi Veseli dhe Lirak Çelaj.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Shemsi Veseli, në këtë bisedë për “Epokën e re” ka thënë se tashmë u takon delegatëve të Kuvendit Zgjedhor të degës së kësaj partie në Prishtinë të vendosin për kryetarin e saj që do t’i përfaqësojë në mandatin e ardhshëm.

“Kam shprehur gatishmërinë të jem kandidat për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë. Që të jem kryetar tashmë nuk varet nga unë, por nga vullneti dhe gatishmëria e delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor. Konsideroj se kandidaturat e shumta e pasurojnë demokracinë e brendshme të PDK-së dhe cilësinë e saj.

Të jesh kryetar i Degës së PDK-së në Prishtinë nuk duhet të shihet si privilegj, por si sfidë për ta forcuar partinë”, ka deklaruar Veseli.


Në këtë kontekst, Veseli ka thënë se është kandidati më serioz të cilin kanë mundësi ta votojnë delegatët e Kuvendit Zgjedhor të Degës së PDK-së në kryeqytet.

“Pa përjashtuar kolegët e mi kundërkandidatë, vlerësoj se jam personalitet publik që kam një bagazh, moral, profesional dhe politikë për t’u zgjedhur kryetar dege. Delegatët e Kuvendit Zgjedhor do të bënin zgjedhje të mirë në rast se do të më besonin mua.

Gjatë këtyre viteve e kam dëshmuar veten për punën e palodhshme në raport me PDK-në që nga themelimi i saj si dhe angazhimet e tjera si këshilltar komunal dhe tash zëvendësministër i FSK-së. Po ashtu, jam njeri që nuk jam i përfshirë në asnjë dukuri negative.

Unë gëzoj një autoritet dhe kredibilitet të lartë në Prishtinë. Në anën tjetër nuk më mungon vullneti. Gjithashtu, jam një figurë unifikuese dhe e pranueshme në raport me qytetarin e Prishtinës”, është shprehur Veseli, duke shtuar se do ta pranonte secilin kundërkandidat që do ta fitonte garën në këto zgjedhje.

“Të tre kandidatët jemi të mirë. Cilido prej dy kundërkandidatëve që do të mund të zgjedhet për mua do të jetë i pranueshëm. Pra, nuk do të mbaj inat. Kjo garë nuk ka për qëllim ta mundim njëri-tjetrin. Kjo garë, sipas mendimit tim, do ta forcoj PDK-në me kuadro jashtëzakonisht cilësore”, ka thënë Veseli.


Ai ka thënë se të tre kundërkandidatët e kanë mbështetjen e plotë të kryetarit të partisë, Hashim Thaçit. “Kryetari i PDK-së e ka bërë një hap shumë të ndryshëm, duke na ftuar mua dhe dy kundër kandidatët e mi për të na konfirmuar mbështetjen e paanshme.

Janë të paqëndrueshme deklaratat në opinion kinse Memli Krasniqi ose Lirak Çelaj kanë mbështetjen e kryetarit. Pra, e kemi përkrahjen e plotë pa dallime. Qëllimi ynë është forcimi i PDK-së”, ka theksuar Veseli.

Çelaj: Dua ta forcoj PDK-në në Prishtinë

Edhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, Lirak Çelaj, ka bërë me dije se para disa ditësh ka marrë vendim për të kandiduar për kryetar të degës së kësaj partie në Prishtinë.

Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Çelaj ka thënë se ka përshtypjen se do ta fitojë këtë garë. “Ka disa ditë që e kam marr këtë vendim, që unë të kandidoj për kryetar të Degës së PDK-së.

Kjo ka qenë edhe kërkesë e disa shokëve brenda PDK-së. Për vetë faktin se kam pranuar të hyj në garë shpresoj dhe besoj se do të fitoj. Kam përshtypjen se kam përkrahjen e shumicës së delegatëve.

Këtë do ta shohim të enjten. Unë i çmoj shumë të dy kundërkandidatët. Mendoj se janë njerëz që kanë kontribuar shumë për PDK-në dhe Kosovën”, ka thënë Çelaj, duke shtuar se do të angazhohet maksimalisht ta forcojë PDK-në në Prishtinë. “Do të angazhohem në konsolidimin dhe fuqizimin e Degës së PDK-së në Prishtinë.

Është fatmirësi që në këto zgjedhje ka pasur interesim të madh prej njerëzve të rinj që t’i bashkëngjitën PDK-së. Maksimalisht do të angazhohem të rritet numri i anëtarëve të rinj në Degën e PDK-së në Prishtinë.

Kryesisht do të fokusohem në angazhimin e kuadrove akademike dhe profesionale si dhe për marrjen e Prishtinës sepse ne që jetojmë këtu asnjëherë nuk kemi arritur ta shijojmë fitoren e PDK-së si në nivelin qendror. Është e pakompletuar fitorja e PDK-së pa fitore në Prishtinë”, ka thënë Çelaj.


Çelaj ka vlerësuar se gara për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë është fer dhe demokratike. “Një shembull të një gare të tillë mund ta hasim në SHBA. Në garë për të fituar ka shumë kandidatë. Kjo nuk është asgjë e keqe, përkundrazi është një vlerë e re në Kosovë.

Brenda Degës së PDK-së në Prishtinë nuk ka kurrfarë përçarje, por është një garë e shëndosh sikurse ndodh në vendet më demokratike me qëllimin më të mirë që ta zhvillojmë këtë parti. Në këtë drejtim nuk dyshoj në qëllimet e asnjërit kundërkandidat”, ka thënë Çelaj.


Sikurse Veseli edhe Çelaj i ka mohuar zërat se kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, anon për ndonjërin kandidat. “Të martën të tre kandidatët kemi pasur takim me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, i cili na ka thënë shumë qartë se nuk anon nga asnjëri nga ne, por mbështet një garë të lirë dhe do ta përkrahë atë kandidat, i cili do ta fitojë garën për ta udhëhequr Degën e PDK-së në Prishtinë”, ka thënë Çelaj, duke shtuar se nëse nuk e fiton këtë garë ai do t’ia urojë fitoren atij që fiton.

“Kjo garë nuk është personale, por është garë për ta forcuar Degën e PDK-së në Prishtinë.

Të gjithë duhet ta pranojmë rezultatin që na jep Kuvendi Zgjedhor sepse kjo është forma më demokratike”, ka theksuar Çelaj.

Veseli: Unë mund t’i fitoj zgjedhjet lokale në Prishtinë

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Shemsi Veseli, ka shprehur gatishmërinë të garojë edhe për kryetar të Prishtinës. Ai ka shprehur optimizëm se do ta fitonte këtë garë. “Shpreh gatishmërinë për të qenë kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Një gjë e tillë nuk varet nga unë, por nga strukturat e partisë, duke përfshirë edhe Kryesinë Qendrore të PDK-së.

Jam i bindur se sikur të jem kandidat për kryetar të Prishtinës për herë të parë PDK-ja do të udhëheqë komunën e Prishtinës ose, më së paku, me mua PDK-ja në Prishtinë do ta rriste numrin e këshilltarëve komunalë dhe do ta përmirësonte imazhin”, ka thënë Veseli.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)