16 Maj 2024

MD nuk i mori parasysh rekomandimet e shoqërisë civile

Prishtinë, 9 gusht - Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Antikorrupsion ka zhvilluar disa takime konsultative, ku është analizuar përmbajtja e projekt-ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale.

Forumi pas analizave e sheh të arsyeshme të kontestojë edhe më tutje projekt-ligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës me datën 07 gusht 2012.

Qeveria e Kosovës të martën më datë 07 gusht 2012 ka miratuar projekt-ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë te veprave penale.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se rekomandimet e shoqërisë civile janë marrë parasysh dhe janë inkorporuar në projekt-ligj. Sqarojmë opinionin publik se rekomandimet që Forumi i 10 OJQ-ve i ka paraqitur kohë më parë, nuk janë marrë parasyshë dhe se ky projekt-ligj është hartuar në kundërshtim me rekomandimet tona.

Dispozitat kryesore që përmban ky projekt-ligj janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë (Kodin Penal të Kosovës). Duke u bazuar në këtë fakt, Forumi ka nxjerrur këto rekomandime:

1.    Duhet ndryshuar emri i draft-ligjit, i cili në të njejtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji. Forumi rekomandon që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme” (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale).

2.    Pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandon Forumi paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.

3.    Ky draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra të lejohej retroaktiviteti tij.

4.    Sygjerohet krijimi i mekanizmave të vaçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.

Nëse ky ligj kalon si i tillë sikurse është sot, nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fitura në mënyrë të kundërligjshme.

Në një formë të tillë, ky ligj do të amnistojë të gjithë personat që pas lufte e tutje kanë krijuar pasuri milionëshe nga asgjë. Pra, ky projekt-ligj më tepër shihet si legalizim i pasurive të paligjshme të krijuara deri me tani nga persona të caktuar, sidomos të nivelit të lartë politik, se sa e kundërta.

Forumi Këshillues i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht Komisionit për Legjeslacion që të jetë i hapur dhe të pranojë inkorporimin e këtyre rekomandimeve në këtë projekt-ligj, në mënyrë që të ndertojmë një ligj që do të jetë i implementueshëm dhe i efektshëm në rregullimin e kësaj fushe, e cila së bashku me korrupsionin po e shkatërrojnë shoqërinë kosovare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)