28 Prill 2024

Mbështetja e Austrisë pëf Kosovën nuk do të mungojë

Prishtinë, 9 nëntor - Sot Zëvendëskryeministrja e Kosovës znj. Edita Tahiri takoi Wolfgang Waldner, sekretar i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në Kosovë, procesin e integrimeve euroatlantike, reformat dhe për dialogun teknik.

Fillimisht znj. Tahiri shprehu falënderime të veçanta për shtetin e Austrisë i cili ka dhënë dhe po jep një kontribut të çmuar në shtetndërtimin e Kosovës.

Duke folur për zhvillimet politike në vend, Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi përkushtimin e madh që ka Qeveria e Kosovës po bënë në reformat gjithëpërfshirëse në vend, për forcimin e shtetit ligjorë në tërë territorin e vendit, shtimin e numrit të njohjeve, projektet e rëndësishme zhvillimore ekonomike dhe në fokusin kryesor për përmbushjen e standardeve për integrime euroatlantike.

Përkitazi me angazhimet për agjendën integruese të Kosovës në BE, Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun teknik dhe kërkoi nga shteti Austriak mbështetje konkrete për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së si një proces kyç për avancimin e ardhmërisë evropiane të Kosovës në këtë fazë.

Ajo kërkoi angazhimin e Austrisë për arritjen e konsensusit mes shteteve të BE-së për këtë qëllim duke vënë theksin te nevoja për të bindur pesë vendet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga dialogu teknik porse ngecjet në këtë proces imponohen nga Serbia, andaj BE-ja duhet të rrisë presionin ndaj palës Serbe në mënyrë që dialogu të jap rezultatet konkrete.

Waldner shprehu kënaqësinë e tij që e viziton Kosovën, ku po njihet nga afër me sukseset e këtij shteti të ri.

Ai tha se mbështetja e plotë e Austrisë nuk do të mungojë sa i përket zhvillimit të Kosovës dhe integrimit të plotë të saj në BE, NATO, OKB dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë.

Më tej, ai theksoi se Austria ka një angazhim të shtuar në kuadër të BE-së në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe kapërcimit të  pengesave që dalin në rrugëtimin e sajë drejtë BE-së.

Waldner çmoi lartë përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal si dhe vuri në dukje konstruktivitetin e lartë të palës së Kosovës në dialogun teknik.

 Në fund të znj. Tahiri dhe Waldner vlerësuan rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)