11 Maj 2024

Mandati i plotë i Jahjagës, në favor të liderëve

Prishtinë, 14 qershor - Në rast se Gjykata Kushtetuese konstaton se Atifete Jahjaga ka mandat të plotë, sipas analistëve politikë ky fakt do t’u konvenojë edhe Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit. Ata kanë vlerësuar se asnjëra nga partitë politike nuk është e interesuar që zgjedhjet të mbahen sipas afateve të parapara me marrëveshjen PDK-LDK-AKR, pasi nuk janë të përgatitura për të hyrë në asnjë palë zgjedhje

Po ashtu, analistët nuk parashikojnë ndonjë krizë politike apo institucionale nëse nuk do të ketë respektim të marrëveshjes së arritur në mes të Thaçit, Mustafës e Pacollit.

Analisti, Behxhet Shala ka thënë për “Epokën e re” se mosmbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në afatet e parapara u konvenon liderëve partiakë.

“Kjo marrëveshje, në fakt, edhe ashtu ka qenë për t’u mos u marrë vesh. Po dëshirojnë të fitojnë kohë për shtyrjen e zgjedhjeve pasi asnjë subjekt politik nuk është i interesuar fare të mbahen zgjedhjet në afatet e parapara. Subjektet politike nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje presidenciale e parlamentare për shkak se kanë probleme brenda subjekteve politike”, ka thënë Shala.

Sipas tij, mosrespektimi i marrëveshjes PDK-LDK-AKR nuk do të prodhojë krizë meqë do të ketë zgjatje të mandatit.


Edhe analisti, Milazim Krasniqi ka thënë se në njëfarë mënyre mosrespektimi i marrëveshjes PDK-LDK-AKR, e ndërmjetuar nga amerikanët, do të ishte në favor të Thaçit e të Mustafës.

“Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se është në rregull vazhdimi i plotë i mandatit të Jahjagës, atëherë faktorët politikë, pavarësisht a janë të kënaqur apo jo, do të duhej ta respektonin këtë fakt. Nga ana tjetër, në rast se do të mbaheshin zgjedhjet presidenciale brenda këtij viti, do të kishte një dinamikë të paparashikuar në partitë kryesore, prandaj është për t’u supozuar se liderëve nuk u konvenon mbajtja e zgjedhjeve presidenciale në këtë vit”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se edhe nëse s’do të ketë respektim të marrëveshjes, nuk do të ketë ndonjë krizë eventuale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)