17 Maj 2024

Limaj i zhgënjyer nga Thaçi

Prishtinë, 21 shtator - Nënkryetari i Partisë Demokratike (PDK), ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj nuk ka kursyer kritikat ndaj kreut të partisë, kryeministrit Hashim Thaçit lidhur me mënyrën si po e menaxhon partinë, por edhe për mënyrën si po e menaxhon shtetin.

“Nuk udhëtohet presidenti dhe kryeministri i shtetit në një vend, ngase ata secili prej tyre e përfaqësojnë shtetin. Këtë më mirë duhet ta dijë protokolli i shtetit i cili është i ngarkuar me një gjë të tillë”, ka thënë Limaj në një debat televiziv të gazetarit Baton Haxhiu në Klan Kosova.

Duke diskutuar përbërjen e gjerë prej 50 vetash të delegacionit të Kosovën në Nju Jork, Limaj u shpreh se kjo është e panevojshme “ngase atje nuk do të ndodhë asgjë me rëndësi për Kosovën”.

Limaj ka qenë kritik veçanërisht rreth mënyrës si po menaxhohet partia. Ai është shprehur se takimi i fundit vjen me një vonesë prej një vit e gjysmë. “Kritika kryesore ka qenë pse nuk është mbledhur kryesia për një vit e gjysmë”, ka thënë Limaj, duke shtuar se qëndrimet e partisë ndërtohen në kryesi dhe jo gjetkë.

Sipas Limajt, dikur partia ka qenë më e disiplinuar në parti, por kjo nuk po ndodhë edhe tani. Për këtë, ai ka fajësuar drejtpërdrejt kreun e partisë, Hashim Thaçin. “Pse nuk jemi të mbledhur duhet ta pyesni kryetarin e partisë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ”tani e tutje nuk mund të vazhdohet kështu”.

“Natyrisht jam i zhgënjyer në kryetarin e partisë, i cili nuk e ka mbledhur kryesinë, kur dalin njerëz të cilët flasin në emër të partisë, pa pasur një qëndrim të kryesisë së partisë. Ne kemi përgjegjësi ndaj votuesve, prandaj askush nuk mund të flasë në emër të partisë, pa pasur një qëndrim zyrtar të partisë”, ka thënë Limaj, duke shtuar se në PDK duhet të ketë më shumë demokraci të brendshme.

Ai është shprehur se lufton që PDK të jetë “jo vetëm parti liderë me vota, por parti lidere edhe me demokraci”.

Limaj ka mbrojtur edhe një herë qëndrimin e tij për modelin “një anëtar, një votë” për zgjedhjet në kuadër të partisë. Rreth organizimit të kongresit të ardhëm, Limaj është shprehur se “PDK nuk ka më nevojë për improvizime, prandaj nuk duhet një kongres vetëm për sy e faqe, por një kongres i vërtetë”. Ai edhe njëherë është shprehur kundër koalicionit me Aleancën për Kosovën e Re, derisa e ka quajtur të pamoralshme mënyrën e prishjes së koalicionit me LDK-në.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherit nënkryetari i Partisë Demokratike, ka thënë që marrëveshja për Presidenten, e lidhur ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit duhet të respektohet. Limaj po ashtu ka përmendur çështjen e hetimeve duke thënë që në seancën gjyqësore të radhës do të përmendën emra të mëdhenj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)