08 Maj 2024

LDK shpreh shqetësimin për të gjeturat në Raportin e Progresit

Prishtinë, 12 tetor - Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për të gjeturat në Raportin e Progresit për vitin 2011, sipas të cilit, edhe gjatë këtij viti Kosova nuk ka bërë progres në fusha të rëndësishme.

Në veçanti sipas LDK-së janë shqetësuese konstatimet lidhur me mashtrimet në procesin zgjedhor, menaxhimin e keq të buxhetit nga ana e Qeverisë, mosfunksionimin e rendit dhe ligjit, nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe mbi të gjitha mungesën e vullnetit politik për t’i adresuar dhe luftuar këto fenomene.

\"Që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht ka ngritur zërin për mashtrimet që janë bërë në procesin zgjedhor, keqpërdorimet në shkallë shqetësuese dhe shkeljen e të drejtës themelore të qytetarëve për votim të fshehtë dhe të lirë, shqetësime këto që tani u konfirmuan edhe ne Raportin e Progresit të KE\" thuhet në reagimin e LDK-së.

Poashtu, LDK ka deklaruar vazhdimisht se kjo Qeveri është Qeveri harxhuese dhe po e qon vendin në një kolaps total ekonomik dhe financiar përmes politikave të gabuara buxhetore të cilat rezultuan edhe me përkeqësimin e raporteve me FMN dhe me Komisionin Evropian.

\"Ashtu siç është konstatuar edhe në Raportin e Progresit, Kosova ka dështuar në reforma ekonomike dhe në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për biznes dhe kjo Qeveri vazhdon të rrezikojë qëndrueshmërinë financiare të shtetit të Kosovës.\"

Fatkeqësisht LDK ka thënë se kjo Qeveri ka dështuar edhe në reformën e administratës publike, meqë i vetmi angazhim i saj në raport me këtë administratë ka qenë punësimi pa kurfarë kriteri, rritja e numrit të ministrive pa asnjë bazë vetëm për të ushqyer apetitet e partnerëve të koalicionit.

\"Ngarkimi i administratës publike është bërë duke pasë kriter vetëm nepotizmin dhe punësimin në baza partiake. Këto të meta të cilat janë përmendur edhe në Raportin e Progresit, konfirmojnë shqetësimet që vazhdimisht i ka paraqitur LDK në raport me reformën e administratës publike, e cila është një nga kriteret kyqe për integrim evropian.\"

Shqetësimet në fushën e sundimit të ligjit, të cilat e kanë dëmtuar edhe imazhin e Kosovës në botë, patjetër po e ngadalësojnë rrugën e integrimit të Kosovës në BE. Prandaj, mungesa e vullnetit politik për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar mbesin barriera të cilat fatkeqësisht kjo Qeveri e korruptuar nuk mund t’i kalojë.

LDK mbetet e përkushtuar në përkrahjen e agjendës evropiane të Kosovës si parti kryesore opozitare sepse beson se qytetarët e saj meritojnë një të ardhme evropiane. LDK ka luajtur rol kyq në arritjen e konsensusit politik për këtë agjendë evropiane, gjë që vlerësohet pozitivisht në Raportin e Progresit. LDK do vazhdojë të ofrojë përkrahjen për këtë agjendë evropiane si në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe përmes lobimit në qendrat kryesore vendimmarrëse.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së nesërme do të mbajë konferencë për shtyp ku në detaje do t’i adresojë të gjeturat e Raportit të Progresit veç e veç.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)