30 Prill 2024

LDK: Qeveria pa adresë të politikës së jashtme

Prishtinë, 14 shtator - Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar qeverinë, se me konfuzionin total që ka krijuar në fushën e politikës së jashtme, me përplasje kompetencash dhe interesash brenda vetë asaj, po e dëmton seriozisht imazhin e Kosovës dhe procesin jetik të njohjeve.

Kosova sipas LDK-se nuk e ka një adresë të politikës së jashtme, meqë në atë fushë ndërhyjnë pandërprerë kryeministri, një zëvendëskryeminstër, ministri i Jashtëm, ministrja e Integrimeve, pa harruar kompetencat që ka presidentja në këtë plan.

"Në procesin e lobimit për shtimin e njohjeve, në sjelljen e Qeverisë është manifestuar joseriozitet i dukshëm. Ministria e Jashtme flet për një Strategji, që nuk e reflektojnë veprimet e ministrit, ndërsa zëvendëskryeministri i parë, z. Pacolli, e pranon se nuk e di nëse Strategjia ekziston."

Në anën tjetër sipas LDK-se sjellja ndaj procesit të njohjes së Kosovës, si ndaj një çështjeje private dhe në terma privatë, gjithë procesin e ka shndërruar në një garë të pakuptimtë, në të cilën secili do të marrë meritat që nuk i takojnë.

"Në rrëmujën që ka krijuar koalicioni qeverisës, zyrtarët më të lartë të Qeverisë nuk arrijnë as të dallojnë se çfarë janë premtimet e çfarë njohjet, madje nuk arrijnë që, së paku publikisht, të mos sillen si njerëz që punojnë për interesa private."

Vetëm gjatë javës së fundit, për shkak të mungesës së koordinimit dhe për shkak të përplasjeve të brendshme, Qeveria nuk ka arritur të sqarojë as se kush e ka njohur Kosovën e kush jo.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se joserioziteti i thellë dhe konfuzioni që ka krijuar Qeveria në këtë plan, e dëmtojnë seriozisht imazhin e Kosovës dhe vetë procesin e njohjes.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon përgjegjshmëri në politikën e jashtme, fushë kjo jetike për vendin tonë, veprime të matura dhe punë të vërtetë, në përputhje me detyrimet kushtetuese që ka secili institucion.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që institucionet e vendit t’i koordinojnë fort veprimet me vendet mike, përkrahëse të pavarësisë së Kosovës, si SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe vende të tjera të BE-së e më gjerë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe në këtë rast, vlerëson dhe shpreh mirënjohjen e saj për punën e madhe që kanë bërë dhe që po bëjnë qeveritë e këtyre vendeve për të shtuar numrin e shteteve që kanë njohur pavarësinë e vendit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)