29 Prill 2024

LDK përmbyll me sukses procecin e zgjedhjeve të brendshme

Prishtinë, 21 korrik - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, në vazhdën e takimeve me degët e partisë, dje pati takime pune me kryesitë e reja të degëve të LDK-së në Gjakovë dhe në Pejë dhe me kryetarët e nëndegëve.


Në këto takime, Kryetari Mustafa i përgëzoi kryesitë e reja të këtyre degëve për besimin që kanë marrë nga anëtarësia e gjerë për t’i udhëhequr këto degë.


“Lidhja Demokratike e Kosovës po e përmbyll me sukses procecin e zgjedhjeve të brendshme, i cili dëshmoi edhe një herë se LDK-ja është parti që i respekton me përpikëri procedurat legale e demokratike, të cilat ia mundësojnë secilit anëtar të kandidojë dhe të zgjedhet në strukturat e partisë”, tha Kryetari Mustafa.


Po ashtu, ai ripërsëriti vendosmërinë e LDK-së për ta vazhduar ristrukurimin dhe reformimin e saj, me qëllim që LDK-ja të fuqizohet edhe më tej dhe t’u përgjigjet kërkesave dhe pritjeve të anëtarësisë, po edhe të mbarë qytetarëve të vendit.


“LDK-ja është parti e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët, në kuadër të programit dhe të frymës sonë politike rugoviane, mund dhe duan të japin kontributin e tyre qytetar e profesional për progresin e vendit”, pohoi Kryetari Mustafa.


Gjithashtu, ai vlerësoi se LDK-ja, në proceset që po kalon, është freskuar me shumë anëtarë të rinj, që kanë arritur rezultate të rëndësishme në fushat e tyre profesionale dhe me ekspertizën e tyre LDK-së i sjellin cilësi dhe vlera të reja.


Duke i pasur parasysh këto zhvillime pozitive përbrenda tërë strukturave të partisë, nga aktivet deri në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesi, Kryetari Mustafa  shprehu besimin e plotë se LDK-ja shumë shpejt do të marrë vendin e saj të natyrshëm në skenën politike dhe pashmangshëm do të jetë sërish udhëheqëse e institucioneve të Republikës së Kosovës.


“Ne do t’i japim vendit institucone që qeverisin në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme, institucione që e respektojnë ligjin dhe japin llogari para qytetarëve”, tha Kryetari Mustafa. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)