17 Maj 2024

LDK e VV e kundër konsensusit për dialog

Prishtinë, 27 shtator - AAK-ja thotë se duhet të ketë konsensus politik për dialog me Serbinë, por zyrtarët e LDK-së thonë se nuk duhet të lëvizet asnjë milimetër nga Plani i Ahtisaarit, në të kundërtën, Kosova do të shndërrohet në shtet jofunksional dhe në një Bosnjë të dytë.

Ndërsa ata të Vetëvendosjes, theksojnë se konsensusi i vetëm, duhet të jetë ai karshi kushtëzimit të Serbisë.

Dialogu i mundshëm me Serbinë, mund të jetë i vështirë për Qeverinë e Kosovës, duke pasur parasysh mungesën e konsensus të brendshëm politik. Opozita, vlerëson se konsensus për të biseduar për veriun apo për çështjet tjera politike nuk mund të ketë.

Vjosa Osmani nga LDK-ja thotë se të gjitha çështjet politike me Serbinë kanë përfunduar në Vjenë dhe si rezultat i dialogut ka dalë Plani i Ahtisaarit.

Ajo thotë se nuk duhet lëvizur nga ky plan.

“Ne nuk i kuptojmë këto turret e Qeverisë së Kosovës për t’u ngutur për të hyrë në një dialog nga i cili Kosova do të dalë humbëse, në aspektin që në qoftë se edhe vetëm një milimetër largohemi nga Pakoja e Ahtisaarit, Kosova do të bëhet shtet jofunksional dhe do të bëhet një Bosnjë e dytë”, tha Osmani për Radio Kosovën.

Lëvizja Vetëvendosje, si kundërshtuese e vazhdueshme e çfarëdo dialogu me Serbinë, konsensusi i vetëm duhet të jetë ai për kushtëzim të Serbisë.

Glauk Konjufca nga kjo lëvizje tha se edhe Kuvendi i ka vënë kushtëzimet e veta, andaj edhe duhet t’u qëndrojë vendimeve të veta.

“Qeveria po kërkon konsensus për t’iu bashkuar asaj në karvanin e turpit për të shkuar në negociata me Serbinë dhe për të bërë koncesione për Kosovën, sepse e dimë që atje nuk do të flitet për Serbinë, por për veriun e Kosovës dhe do të flitet për çfarë lloji të vetëqeverisjes apo të autonomisë të ketë kjo pjesë e territorit të Kosovës”, tha Konjufca.

Ndërkaq, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se duhet të ketë konsensus politik për të gjitha çështjet me interes nacional, por ai thotë se për të hyrë në dialog me Serbinë, duhet parë sa janë zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani dhe të dihet platforma e Kosovës karshi këtij dialogu.

“Pa u ditur se çka do të bisedohet, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar, i cili asnjëherë nuk ka zbatuar as marrëveshjet, as nuk iu ka përmbajtur elementeve themelore të interesave të dy vendeve”, tha Isufi.

Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi ditë më parë ka thënë se për të hyrë në dialog duhet të arrihet konsensusi i brendshëm politik dhe në këtë drejtim ai ka theksuar se vetëm Kuvendi është institucioni kryesor që duhet të marrë vendim për të hyrë në dialog.

Zyrtarët e Qeverisë kanë paralajmëruar ekzistimin e një plani inicial për veriun, por opozita nuk beson se një plan i tillë do të dorëzohet në Kuvend, pasi që sipas tyre, edhe dy vjet më parë Qeveria e ka përmendur një plan për veriun. Andaj opozita, paralajmëron që kontributi i saj kryesor në Kuvend do të jetë kundërshtimi i dialogut në të cilin do të diskutohej për veriun. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)