17 Maj 2024

LDK: Drejtësia në Kosovë ka degraduar dhe po keqpërdoret

Prishtinë, 10 tetor - Këshilli i Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga fusha e sundimit të ligjit kanë vlerësuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka pësuar regres në mandatin e Qeverisjes Thaçi.

Sipas kësaj partie, kjo po e prish imazhin e Kosovës, po i dëmton qytetarët dhe bizneset dhe po e largon Kosovën nga rruga e integrimeve evropiane.

“LDK ka analizuar funksionimin e organeve të drejtësisë, si prokurorisë, gjyqësisë, shërbimit korrektues dhe shërbimit sprovues. LDK vlerëson se në prokurori dhe hetuesi ka vazhdimisht ndërhyrje politike. Gjykatat përballen me mungesë të resurseve njerëzore dhe teknike për trajtimin e rreth 220 mijë lëndëve të ndryshme. Infrastruktura dhe kapacitetet njerëzore të gjykatave nuk janë të mjaftueshme për të ngritur efikasitetin për trajtimin e këtyre lëndëve. Është e papranueshme që disa gjyqtarë të presin në rend për përdorimin e një salle ku zhvillohen seanca”, ka thënë deputeti i kësaj partie Arben Gashi.

Gashi më tej ka thënë se vendimet e gjykatësve për raste vonohen me javë të tëra për shkak se nuk aprovohet punësimi i bashkëpunëtorëve profesional që i përgatisin lëndët për gjyqtarë.

“Është e papranueshme që Qeveria Thaçi të shpenzoi qindra mijëra euro në blerjen e veturave zyrtare, ndërsa sistemi gjyqësor të lihet prapa me mungesë kushtesh elementare. Pavarësisht rritjes së pagave për gjyqtarë, numri i lëndëve që presin mbetet i njëjtë nëse nuk rritet numri i gjyqtarëve dhe stafit tjetër mbështetës”, vlerëson ai.

Sipas tij në prokurori dhe hetuesi në vazhdimësi janë vërejtur ndërhyrje politike.

Gashi po ashtu ka thënë se prokuroria nuk po jep rezultatet e duhura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi edhe vetë është shndërruar në subjekt hetimi.

“Shërbimi Korrektues përcillet me parregullsi të mëdha. Qasja e Ministrisë të Drejtësisë në menaxhimin e këtij sektori është jo adekuate. Në burgjet e Kosovës, përveç menaxhimit të keq, ka korrupsion.\"

\"Në burgun e Dubravës dhe të Lipjanit, si dhe në qendrat e paraburgimit, kanë ndodhur skandale në vazhdimësi. Këto institucione riedukimi janë shndërruar institucione në shërbim të krimit të organizuar, ku në mënyre të paligjshme jepen leje për vizita shtëpiake për të dënuarit për krime të rënda që në shumë raste nuk kthehen më në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, vlerësoi Gashi.

LDK vlerëson se sistemi i drejtësisë në vend është duke u abuzuar nga politika dhe njerëz të lidhur me politikën.

LDK kërkon që të krijohen kapacitete infrastrukturore për gjyqësinë. Gjykatat duhet të pajisen me mjete të mjaftueshme me salla gjyqi, me staf të mjaftueshëm mbështetës dhe me mjete moderne të monitorimit dhe të gjykimit. Derisa këto resurse të mos sigurohen, është e pamundur të reduktohet numri i lëndëve në gjyqësor.

LDK kërkon që sa më parë të vendosët sundimi i rendit dhe ligjit në sistemin korrektues të Kosovës. Burgjet të kenë menaxhim profesional dhe të jenë të depolitizuara, si dhe të ndërpritet ndikimi politik me qëllim të dhënies së privilegjeve për të burgosurit që kanë lidhje me partinë në pushtet. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)