LDD: Hyrja e udhëheqësve serb në Kosovë, destabilizon vendin

Prishtinë, 24 maj - Nën udhëheqjen e kryetarit të LDD-së akademik Nexhat Daci u mbajt takimi i rregullt i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, ku u diskutua lidhur me operacionalizimin e detyrave të sektorëve në kuadër të partisë. 
Ndarja e detyrave për bartësit e resorëve të LDD-së është bërë ditë më parë mbi bazën e përvojës dhe profesionalizmit, në mënyrë që avancimi profesional të jetë i dukshëm dhe konkret në krijimin e politikave.
 
LDD në kuadër të aktualitetit politik në vend, shprehu qartë qëndrimin e saj, se nuk mbështetë në asnjë mënyrë tjetërsimin e aseteve të Republikës së Kosovës në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me kushtetutën e vendit.
 
Lidhja Demokratike e Dardanisë po ashtu shprehu shqetësimin e saj në këtë takim, lidhur me ardhjen e udhëheqësve të Serbisë në Republikën e Kosovës, vizita të cilat kanë qëllime politike për të destabilizuar situatën në vend. 
Andaj, LDD kërkoi nga institucionet e vendit që të respektohet ligjshmëria dhe kushtetutshmëria  për të gjitha proceset. 















