01 Maj 2024

Kuvendi zyrtarizoi themelimin e Zyrës për Hulumtime Parlamentare

Prishtinë, 30 maj - Në një takim të përbashkët të kryetarëve të komisioneve parlamentare, në të cilin merrnin pjesë edhe kryetari Kuvendit dr. Jakup Krasniqi dhe anëtari i Bordit të NDI-së, Howard Dean, u zyrtarizua sot themelimi i Zyrës për Hulumtime Parlamentare.

Duke folur për rëndësinë e kësaj Zyre, kreu i Kuvendit, fillimisht falënderoi NDI-në dhe USAID-in, Ambasadën Amerikane dhe institucionet e tjera që e kanë ndihmuar Kuvendin e Kosoves në procesin e ndërtimit dhe të demokratizimit të jetës parlamentare në Kosovë.

Kjo ndihmë, tha ai, ka avancuar shumë punën e Kuvendit, ndërkaq, në vazhdën e përpjekjeve tona për të fuqizuar Kuvendin dhe kapacitetet e tij, si politike, ashtu edhe profesionale, Kuvendi ka qenë i përqendruar në tri fusha kryesore: fuqizimi i Kuvendit politikisht, fuqizimin e kapaciteteve profesionale të administratës dhe rritjen e transparencës.

Për sa i përket Zyrës për Hulumtime Parlamentare, kreu i Kuvendit e vlerësoi atë të rëndësisë së veçantë, dhe shprehu bindjen se ajo do të ndikojë në nxjerrjen e ligjeve më cilësore, ndërsa, deputetët për mes saj  do të  jenë më shpejtë dhe më saktë të informuar për materien që atyre do tu interesojë.

“Drejtoria për Hulumtime Parlamentare pritet të plotësohet me staf të ri, dhe numri i zyrtarëve të saj do të rritet në vazhdimësi për të qenë në funksion të përmbushjes së kërkesave të Kuvendit dhe të deputetëve”, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Kreu i Kuvendit, në vijim foli për objektivat dhe punën e Kuvendit, me ç’rast përkujtoi se brenda vitit në Kuvendin e Kosovës miratohen deri në 100 ligje.

Përfaqësuesi i NDI-së,  Howard Dean, duke folur për rëndësinë e kësaj zyre, fillimisht përgëzoi për themelimin e saj.

“Kjo është një mundësi e veçantë për demokracitë parlamentare që degës së legjislativit t’i ofrohet një fuqi e vërtetë”, tha Dean.

Shërbimi për hulumtime parlamentare do tu mundësojë deputetëve dhe Kuvendit që të kenë në dorë informatat e duhura, tha ai.

Në vijim, Dean i bëri një vlerësim punës së Kuvendit nga vizita e tij vitin e kaluar. ”Ju jeni duke e ndërtuar një demokraci të shkëlqyeshme këtu, dhe jeni duke punuar mjaft mirë”, tha ai.

Për planet e administratës, foli sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Ai me këtë rast vuri në pah përpjekjet e vazhdueshme për avancimin e kapaciteteve profesionale të administratë në mënyrë që të përballet me sukses me kërkesat e deputetëve.

Për sa i përket Zyrës për Hulumtime Parlamentare, sekretari i Kuvendit njoftoi se stafi i saj fillimisht do të përbëhet prej katër anëtarëve, të cilët do të fillojnë të punojnë nga një gushti, ndërkaq, në fillim të shtatorit do të jenë të gatshëm të pranojnë kërkesat për hulumtim sipas nevojave të deputetëve dhe Kuvendit.

Sekretari i Kuvendit, po ashtu tha se stafi i kësaj Zyre do të plotësohet në vijimësi, derisa të arrijë që të jetë e gatshme të përballet me kërkesat që do t’i adresohen.

Për aktivitetin e Departamentit Ligjor, të pranishmit i njoftoi drejtori i këtij departamenti, Daut Beqiri.

Ky departament, tha ai, ofron këshilla juridike dhe informata për deputetët dhe anëtarët e komisioneve. Beqiri, po ashtu tha se derimëtani ky departament me sukses ka kryer obligimet e veta ndaj deputetëve.

Për rëndësinë e kësaj Zyre folën edhe deputetët, përkatësisht, kryesuesit e komisioneve: Albin Kurti, Armend Zemaj, Florin Krasniqi e Ali Sadriu.

Ata përgëzuan për hapjen e kësaj Zyre, dhe shprehën besimin se do të jetë në funksion të një pune më të mirë dhe më të efektshme të komisioneve. Të njëjtin opinion shprehën edhe përfaqësuesit e Institutit GAP dhe ata të Qendrës për Politikë dhe Avokim. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)