17 Maj 2024

Kuvendi pritet të debatoj për shpenzimin nga ana e Qeverisë

Prishtinë, 1 tetor - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është plotësuar rendi i ditës për seancën e 4 dhe 5 tetorit.

Pas pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe  pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët në këtë seancë do të votojnë Raportin vjetor të performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011, kurse në vazhdim do të procedojnë me projektligjet.

Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për pagat e funksionarëve publik, Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, Projektligji për provimin e jurisprudencës, si dhe Projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për komunikimet elektronike.

Në vazhdim të seancës do të  shqyrtohen: Raporti i Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Universitetit të Prishtinës (për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2011), Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, si dhe  Statuti i Universitetit të Prishtinës.

Në po këtë seancë do të ketë debat  parlamentar lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës (sipas kërkesës së deputetes Alma Lama, mbështetur edhe nga shtatë deputetë  të tjerë).

Interpelanca e ministrit, Enver Hoxhaj (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së), lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovës, me kërkesë të ministrit (për shkak të agjendës së tij) është hequr nga rendi i ditës i kësaj seance.

Kryesia, ndërkaq, ka vendosur që debati për këtë temë të zhvillohet në seancën e javës së ardhshme. Për debatin, përfundimisht, do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë.

Kryesia e ka tumirë propozimin për shqyrtimin për herë të  parë të Projektligjit për punimet nga metalet e çmuara, duke e radhitur atë në seancën e radhës së Kuvendit.

Duke diskutuar lidhur me kërkesën për procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe përgjigjen e Qeverisë lidhur me  Deklaratën për verifikimin e ndikimit buxhetor të këtij projektligji, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, si komision funksional, që ta shqyrtojë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesë Raportin preliminar, para shqyrtimit të tij të parë.

Lidhur me procedimin e  Projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, pasi është njohur dhe me mendimin e Qeverisë se nëse nuk harmonizohet-plotësohet Kodi penal i Kosovës, ky ligj vështirë se mund të zbatohet dhe, si pasojë, do të krijojë konflikt të hapur ligjor, Kryesia ka vendosur ta ngarkojë Komisionin për Legjislacion në bashkëpunim me Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që ta shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin Raportin preliminar, para shqyrtimit të tij të parë.

Kryesia ia ka dërguar Qeverisë për mendim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, të hartuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Kryesia ka vlerësuar se Raporti i  punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2011, i  plotëson kushtet procedurale për t’u radhitur për shqyrtim në mbledhjen plenare të radhës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)