17 Maj 2024

Kuvendi pasnesër pritet të miratojë rezolutë për bisedimet me Serbinë

Prishtinë, 16 tetor - Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë të enjten një rezolutë për bisedimet me Serbinë, e cila u sponsorua nga PDK-ja dhe partitë aleate të saj.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi ashpër propozimin, derisa LDK-ja ende nuk ka qëndrim. Kriza e numrave që ka kapluar koalicionin do të tejkalohet me mbështetjen e AAK-së.

Qeveria e Kosovës po synon të marrë autorizimin e Kuvendit të Kosovës përmes një rezolute për të nisur bisedimet politike me Serbinë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës të hënën ka prezantuar një draftë-rezolutë në bashkëpunim me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Koalicionin për Kosovën e Re, SLS-në dhe Grupi 6 +.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se me këtë rezolutë synohet normalizimi i raporteve me Serbinë.

Ndërsa në pikën 4 të kësaj rezolute, përmendet autorizimi që Kuvendi do t’ia japë Qeverisë për të udhëhequr bisedimet.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës autorizon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëheqë këtë proces, me pjesëmarrje të komisioneve të nevojshme të Kuvendit të Kosovës”, shkruan “Express”.

Për këtë rezolutë, Kuvendi i Kosovës do të diskutojë në seancën e së enjtes, kur edhe pritet të miratohet.

Në draftërezolutë, kërkohet që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe të mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës”, thuhet në përmbajtjen e draftërezolutës. Po ashtu, theksohet se Qeveria e Kosovës është e obliguar që të raportojë për procesin e bisedimeve rregullisht në Kuvend. Në pikën 6 të draftërezolutës, theksohet se rezultati final “i normalizimit të relacioneve midis dy shteteve, do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës”.

Për të miratuar këtë rezolutë në Kuvend, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë, respektivisht 61 vota.

Por votimi pritet të ndodhë në një kohë kur Qeveria po përballet me krizën e numrave në Kuvend, edhe pse mbështetja që AAK-ja do t’i japë këtij procesi nuk pritet të nxjerrë ndonjë problem.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila të ka përsëritur se procesi i bisedimeve duhet të shkojë përmes Kuvendit të Kosovës, të hënën nuk ka pasur qëndrim të prerë nëse do ta mbështesë rezolutën.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar se Grupi Parlamentar i LDK-së e ka tashmë tekstin e rezolutës, të cilin do ta shqyrtojë dhe \"para seancës do të dalë me qëndrim nëse do ta mbështesë\".

“Ne rolin tonë e kemi në Kuvend dhe kemi lypur gjithmonë që proceset e mëdha dhe procesi i bisedave të shkojë në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ kushtetues që mund të lejojë, mandatorë apo krijojë procese të tilla, ardhja e rezolutës në Kuvend është kthim mbrapa për respektimin e institucionit të Kuvendit”, ka thënë Haziri në një prononcim për “Express” të hënën.

“Kemi kërkuar po ashtu që bisedimet po ashtu të jenë transparente ku flitet për të drejtat kushtetuese dhe nuk lejohet rregullim apo ndërhyrje në punët e brendshme, kështu që ne rolin tonë do ta definojmë të enjten në Kuvend . Ne e përkrahim procedurën për të sjellë në Kuvend, që është një kërkesë e kamotshme e jona, ndërsa për përmbajtjen e rezolutës, për mandatet, ne do të flasim në Kuvend. Natyrisht ne jemi në pjesën e bisedave të brendshme për këtë dhe Grupi Parlamentar do të definohet edhe për këtë segment”, ka shtuar Haziri.

Por, ata që do të mbajnë qëndrim kundërshtues janë deputetët e Vetëvendosjes.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, ka thënë se kjo rezolutë është e dëmshme derisa ka shfaqur qëndrim kritik edhe ndaj partive opozitare.

“Partia Demokratike po arrin t’i marrë subjektet opozitare në dialogun me Serbinë. Kjo është shumë shqetësuese këtu për jetën politike në Kosovë, edhe për skenën opozitare në përgjithësi, se si partitë opozitare nuk mund të bashkohen krejt për të ndalur një projekt të dëmshëm të Qeverisë, e për të ndalur një projekt të dëmshëm siç janë negociatat, i renditen dhe i rrinë gjithë gati Partisë Demokratike të Kosovës me këtë rezolutë që do të sillet në Kuvend”, ka theksuar Konjufca.

Por pavarësisht ngutisë për të miratuar rezolutën, ende mbetet e paqartë nëse procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi do të fillojë këtë vit. Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë në kushte anonimiteti për gazetën se aktualisht nuk dihet nëse pala kosovare dhe ajo serbe do të ulen së shpejti për të biseduar.

Zyrtarë të BE-së kanë theksuar disa herë se janë ende duke përgatitur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, pa dhënë ndonjë afat se kur mund të nisë procesi, e as se çfarë do të diskutohet.

Por mediet në Serbi kanë publikuar lajme se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton i ka thënë Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, se Beogradi duhet të jetë i gatshëm për këtë proces deri më 20 tetor. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)