13 Maj 2024

Kuvendi nderoi figurën e kryetarit të AKP-së, Dino Asanaj

Prishtinë, 15 qershor - Me një minutë heshtjeje, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme komemorative, nderuan figurën e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj i cili ndërroi jetë të enjten pas plagëve të shkaktuara me thikë. 
 
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e vlerësoi lart kontributin politik, atdhetar dhe profesional të Asanajt, ndërsa tha se kulmin në karrierën politike e arriti si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Të një rëndësie të veçantë kanë qenë veprimet e pareshtura që ai bëri për afirmimin e luftës sonë çlirimtare në qarqet politike e diplomatike në SHBA dhe për përfaqësimin e Kosovës e të interesave të saj menjëherë pas çlirimit”, tha Krasniqi.

Duke folur për angazhimin e Asanajt si kryetar i Bordit të AKP-së, Krasniqi tha se ai ishte i ndërgjegjshëm për kompleksitetin e këtij misioni dhe për rëndësinë jetike që ka procesi i privatizimit në fazën e tranzicionit zhvillimor të një vendi të rrënuar ekonomikisht siç ishte Kosova.

“Dino Asanaj ishte një punëtor dhe mik i dashur dhe duhet thënë këtu që me virtytet e tij të larta ai kishte shumë miq, të cilëve do t’u mungojë gjatë. Ai do t’i mungojë edhe Kosovës, për të cilën u angazhua aq shumë dhe aq gjatë”, u shpreh Krasniqi.

Pas seancës komemorative, deputetët u nënshkruan në librin e zisë në hollin e Kuvendit të Kosovës. Dino Asanaj, vdiq të enjten në moshën 55 vjeçare nga plagët e shkaktuara nga therrja me thikë në fyt dhe në zemër. Motivi i vrasjes nuk dihet ende, ndërsa policia nuk ka arrestuar asnjë person deri më tani lidhur me këtë rast.

Dino Asanaj, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1985. Gjatë luftës së Kosovës Asanaj veproi si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ishte angazhuar edhe si këshilltar i delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujesë.

Pas luftës ai shërbeu si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë, u emërua në postin e drejtorit të bordit të Agjencisë kosovare të Privatizimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)