17 Maj 2024

Kuvendi kërkoi nga qeveria të sqarojë çështjen e disa njohjeve

Prishtinë, 12 tetor - Në interpelancën e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ministrin e jashtem, Enver Hoxhaj, me 57 vota pro, 1 kundër, dhe asnjë abstenim, të gjitha grupet parlamentare kanë mbështetur një mocion përmes së cilit kërkohet që Qeveria urgjentisht të sqarojë kompetencat e zyrtarëve të saj që merren me politikën e jashtme dhe Qeveria duhet të sqarojë çështjen e disa njohjeve apo mosnjohjeve.

Po ashtu, aty kërkohet që Qeveria të marrë hapa të mënjehershëm për anëtarësim në organizata ndërkombëtare siç është edhe Këshilli i Europës.

Në fjalimin e tij kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se ka ngecje në arritjen e numrit të 100 njohjeve, ndërsa ka ftuar gjithë spektrin politik në Kosovë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

“Mund të them se suksesi i arritur është madhor në krahasim me lëshimet apo me ndonjë dobësi të paraqitur. Edhe unë dua t’i kemi më shumë se 100 njohje, por nuk po’i arrijmë”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Shefi i Grupit Kuvendor të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë para deputetëve se politika e jashtme ka degraduar, ndërkaq ministri i jashtëm foli për suksesin e politikës së jashtme, por theksoi se mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së e ka penguar procesin e njohjeve.

“Mungesa e unitetit brenda BE-së për shkak të mosnjohjes së deritanishme nga 5 shtetet anëtare, ka ndikuar negativisht jo vetëm në relacionet mes Kosovës dhe BE-së, por edhe në pjesët tjera të botës. Përkundër kësaj, Kosova është njohur nga pothuajse gjysma e shteteve anëtarë te Kombeve të Bashkuara”, theksoi Enver Hoxhaj, Ministër i Jashtëm i Kosovës.

Politika e jashtme e Kosovës u kritikua edhe nga subjektet tjera opozitare. Lideri i Vetëvendosjes tha se Kosova duhet t’i kushtojë vëmendje marrëdhënieve mes shqiptarëve, kurse Blerim Shala nga AAK u shpreh skeptik se mund të ketë njohje të reja.

“Politika e jashtme e Kosovës në rajon duhet të përqëndrohet në marrëdhëniet me shqiptarët që jetojnë në vendet që na rrethojnë. Pra politika e jashtme të përpilohet pavarësisht nga pozita dhe gjendja e shqiptarëve në ato vende”, deklaroi Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.
 
“Improvizimet e shumta, mungesa e koordinimit midis autoriteteve kryesore të politikës së jashtme të Kosovës, mandej gafat dhe skandalet diplomatike, kanë bërë që të dobësohen gjasat që të marrin njohje të reja”, tha Blerim Shala, Deputet, AAK

Në anën tjetër, gjatë kësaj interpelance, nje deklarate e deputetit të LDK-së, Arben Gashi për ministren e integrimeve, Vlora Çitaku, ka nxitur reagimin e grave deputete, të cilat në shenjë proteste lëshuan sallën, sepse u ndjenë të ofenduara.

I ndodhur në situatë të tillë, deputeti Gashi, pothuajse në fund të interpelancës, kërkoi falje, duke thënë se qëllimi i tij nuk ishte që ta fyente askënd, por ishte thjesht diskutim publik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)