06 Maj 2024

Kuvendi dhe Qeveria shembuj te këqij për sundimin e ligjit

Prishtinë, 20 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar konferencë për media ku ka publikuar Raportin mujor të monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për muajin nëntor 2012.

Përfaqësuesit e KDI-së, në një konferencë për media kanë prezantuar disa të gjetura për këtë periudhë, e që sipas tyre po ndikojnë në efikasitetin dhe mandatin e punës së legjislativit.

Isuf Zejna – Analist në KDI, ka vlerësuar se edhe për këtë periudhë raportuese Kuvendi është përballur me një varg problemesh të cilat po ndikojnë që ky institucion të mos i kryej përgjegjësitë të cilat dalin nga mandati i tij kushtetues.

Miratimi i Ligjit për Buxhetin në Kuvend sipas tij, ka shndërruar deputetët në zëdhënës të interesave të ngushta politike, të lagjeve dhe komunave të caktuara, duke shpërfillur kështu planifikimet e mirëfillta të cilat derivojnë zhvillim ekonomik.

“Deputetët kanë kushtëzuar votat e tyre me shtrim rrugësh e trotuaresh në komunat e tyre apo edhe ndërtim çerdhesh. Kuvendi në këtë formë nuk ka përfaqësuar interesat e përgjithshme të vendit, por ato personale të disa deputetëve. Po ashtu transparenca e shqyrtimit të buxhetit dhe dëgjimeve buxhetore ka qenë zero”, ka thënë ai.

Zejna po ashtu ka kritikuar Qeverinë dhe Kuvendin lidhur me ratifikimin e vendimit për themelimin e Universitetit të Pejës dhe Prizrenit, të cilat janë themeluar vite më parë dhe për të cilat tash sa kohë Kuvendi ndanë buxhet.

Ai ka shtuar se ratifikimi në këtë formë është shndërruar në një vendim krejt formal duke de-faktorizuar misionin e Kuvendit, i cili edhe është përcaktuar me Ligjin përkatës për Arsimin e Lartë.

“Kjo paraqet një tendencë të Qeverisë së Kosovës që Kuvendin ta transformojë, në një institucion i cili legalizon veprime dhe vendime tanimë të përmbaruara nga Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar më tej Zejna.

Stopimi i Projektligjit për Navigacionin Ajror, nga grupe të afërta me politikën në Kosovë, ka qenë një çështje tjetër për të cilën Zejna ka thënë se rrezikon marrjen e kompetencave nga autoritetet vendore po që se ky Ligj nuk aprovohet.

Duke mos miratuar këtë Ligj të cilin Qeveria e ka tërhequr nga shqyrtimi në Kuvend, pa ofruar as një sqarim të qëndrueshëm pse ka tërhequr atë, atëherë kompetencat në këtë fushë rrezikohet të rimerren nga ana e KFOR-it.

Nga ana tjetër Florie Mehmeti – Monitoruese e KDI-së në Kuvendin e Kosovës, prezantoi të gjeturat tjera që janë evidentuar në këtë raport. Sipas saj pjesëmarrja e deputetëve në punimet e Kuvendit ka filluar të jetë ndër elementet shumë shqetësuese.

“Nuk ka seancë apo mbledhje të Komisionit ku nuk ka mungesa të deputetëve të cilët rrezikojnë kuorumin për vendimmarrje”, ka thënë ajo. Madje sipas Mehmetit në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi të Kuvendit të Kosovës, janë proceduar 4 projektligje, pa pasur fare kuorum komisioni, i cili kishte në përbërje vetëm 4 anëtarë të Komisionit.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)