Kuvajti i gatishëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 28 maj - Delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, në përbërje të të cilit ishin edhe  anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti, Naim Maloku e Ibrahim Gashi, shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për protokoll, Skënder Reçica, u kthye sot nga vizita zyrtare në Kuvajt. 
Gjatë kësaj vizitë delegacioni ka pasur takime me Princin e Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, kryeministrin, Nasir El- Muhamed El-Ahmed Es-Sabah, kryetarin e  Kuvendit Kombëtar, Xhasim  Muhamed El-Harrafi, si dhe drejtorin e  përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillim, Abdulwahab A. Al-Bader.  
 
Në një prononcim për media me të arritur në Aeroportin e Prishtinës, dr. Jakup Krasniqi, theksoi se kjo vizitë, e cila u bë me ftesë të kryetarit të   Kuvendit Kombëtar të Kuvajtit, Xhasim Muhamed El-Harrafi, ishte mjaft e frytshme. 
Në këtë frymë, në takimet me zyrtarët me të lartë të këtij vendi mik tregohej një interesim i shtuar për rrjedhat e gjithëmbarshme në Kosovë. 
Nga kryetari i Kuvendit të Kuvajtit u shpreh hapur pikëpamja për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kuvendi i Kuvajtit shprehte gatishmërinë që të jetë faktor shtytës edhe për qeverinë kuvajtiane për ta njohur pavarësinë e Kosovës. 
Pritja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës nga zyrtarët e lartë të Kuvajtit, kishte karakterin e një pritjeje të delegacionit të shtetit të pavarur dhe sovran. 
Nga takimi në Fondin për Zhvillim të Kuvajtit u shfaqën zotime për përkrahje ekonomike të Kosovës, sidomos në infrastrukturë,bujqësi, arsim dhe shëndetësi, ndërsa varet nga institucionet kosovare se çfarë projektesh do t iu ofrojnë segmenteve përkatëse të Kuvajtit për sendërtim të përbashkët të tyre, theksoi kryekuvendari Krasniqi.   















