18 Maj 2024

Kushtetuesja vendos: Jahjaga ka mandat pesëvjeçar

Prishtinë, 6 korrik - Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të premten se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

Vendimi për mandatin e presidentes bën pjesë në kuadër të disa opinioneve që Gjykata Kushtetuese i jep në lidhje me tetë nene të propozuara që kanë të bëjnë me pozitën dhe rolin e presidentit të Kosovës.

Gjykata konsideron se ato pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin e dytë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të.

Komisioni për Ndryshime Kushtetuese në fillim të pranverës kishte dërguar njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament.

Por, për t’u vërtetuar me kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i kishte proceduar ato për vlerësim dhe vendim tek autoriteti më i lartë i interpretimit të kushtetutshmërisë.

Njëherësh, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar edhe opinionin e presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj, ndërkaq, kishte theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011, pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Marrëveshja midis liderëve politikë pati mundësuar tejkalimin e krizës dhe situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jokushtetuese.

Me këtë marrëveshje përfshihej edhe pajtimi për ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.

Që marrëveshja të ishte më fuqiplotë, Kuvendi pati miratuar edhe nëj rezolutë në mbështetje të saj. Por, siç qëndrojnë tash gjërat, vendimi i Kushtetueses mbase do t’i garantojë Jahjagës një post të plotë prej pesë vjetësh

Në vazhdim ja edhe vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot mori vendim në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara të Kushtetutës së Kosovës në rastin KO29/12, të parashtruar më 23 mars 2012, dhe në rastin KO48/12, të parashtruar më 4 maj 2012. Kërkesat i ka parashtruar Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për shkak të objektit të çështjes këto kërkesa u bashkuan dhe u shqyrtuan së bashku. Amendamentet e dorëzuara në Gjykatë më 4 maj 2012 nga ana e Kryetarit të Kuvendit përfshinë edhe amendamentet e dorëzuara më 23 mars 2012.
Gjykata Kushtetuese gjeti se amendamentet e propozuara të neneve vijuese duket se pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të:
1.    Neni i ri i propozuar 85.2 (Në lidhje me kufizimin e të drejtës për të qenë kandidat për President vetëm për qytetarët që janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës për pesë vite)
2.    Neni i ri i propozuar 86.3 (Në lidhje me nominimin për pozitën e Presidentit të Kosovës – sepse ka të bëjë vetëm me subjektet politike parlamentare të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhje e fundit)
3.    Neni i ri i propozuar 90.5 (2) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme)
4.    Neni i ri i propozuar 90.5 (3) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët)
5.    Neni i ri i propozuar 90.5 (5) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për shpalljen e faljeve)
6.    Neni i ri i propozuar 104.1 (Në lidhje me veton pezulluese të Presidentit për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të rregullta)
7.    Neni i ri i propozuar 114.2 (Në lidhje me veton pezulluese të Presidentit për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese)
8.    Neni i ri i propozuar 162.1 (Në lidhje me ndërprerjen e parakohshme të mandatit Presidentit të Republikës së Kosovës)
Vendimi i plotë i Gjykatës do t’u dërgohet palëve dhe do të jetë në dispozicion në ueb faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në kohën e duhur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)